Sipas përkufizimit në Ligjin Nr. 7746, dt. 28.07.1993 “Për hidrokarburet (Kërkimi dhe Prodhimi)”, i ndryshuar, “Marrëveshje Hidrokarbure” është një marrëveshje e lidhur nga Ministria ose nga Albpetroli (në rastet kur Ministria e autorizon nëpërmjet një licence) me një person juridik i cili ka burimet financiare dhe kompetencën teknike për të kërkuar, zhvilluar dhe prodhuar hidrokarbure në Zonën e Kontratës.
Një Marrëveshje Hidrokarbure mund të marrë formën e një “Marrëveshjeje me ndarje prodhimi” ose ndonjë formë tjetër, të rënë dakord ndërmjet ministrisë dhe kontraktorit, ku “Marrëveshja me ndarje prodhimi” është një marrëveshje hidrokarbure, e cila parashikon ndarjen ndërmjet shtetit dhe kontraktorit të sasisë së hidrokarbureve të mbetura, pas pagimit të rentës minerare, sipas legjislacionit fiskal në fuqi, dhe mbulimit të kostove hidrokarbure nga hidrokarburet e prodhuara në zonën e kontratës, sikurse përcaktohet në marrëveshjen hidrokarbure.
- Parashikimet që duhet të përmbajë një Marrëveshje Hidrokarbure
Në Ligjin Nr. 7746, dt. 28.07.1993 “Për hidrokarburet (Kërkimi dhe Prodhimi)”, i ndryshuar janë parashikuar disa nga të drejta të cilat mund t’i jepen Kontraktorit në një Marrëveshje Hidrokarbure sipas termave dhe kushteve të përcaktuara në të, të tilla si :
- E drejta ekskluzive për të kryer kërkimin brenda zonës së kontratës, për një periudhë jo më shumë se 7 vjet gjithsej
- E drejta ekskluzive për të zhvilluar dhe prodhuar rezervat e hidrokarbureve në Zonën e Kontratës, në përputhje me kushtet e një Plani Zhvillimi të miratuar nga Ministria, për një afat 25 vjet, si dhe për të ripërtërirë këtë të drejtë në çdo rast, jo më shumë se 5 vjet.
- E drejta për të ndërtuar, shtrirë dhe operuar tubacione në Shqipëri, duke ju nënshtruar kërkesave për të lejuar përdorimin e kapacitetit të tepërt nga palët e treta, në kushte tregtare dhe duke ju nënshtruar kushteve të aplikueshme të çfarëdo traktati në të cilin Shqipëria është palë, për t’i lidhur ato me tubacionet dhe pajisjet e vendeve të tjera
- E drejta e pronësisë për pjesën e tij të hidrokarbure e të prodhuara në zonën e kontratës në një pikë që specifikohet në Marrëveshjen e Hidrokarbureve dhe të drejtën të shesë apo të tregtojë për eksport Hidrokarburet për të cilat ai ka marrë pronësinë sipas Marrëveshjes së Hidrokarbureve, përveç rasteve kur i nënshtrohet të drejtës së porosisë në kushte emergjence si dhe çdo detyrimi që përmban Marrëveshja e Hidrokarbureve për të furnizuar ose për të kontribuar në furnizimin e tregut lokal.
- E drejta të marrë dhe të mbajë jashtë vendit të ardhurat e shitjes në monedhë të huaj të hidrokarbureve të cilat i ka marrë në zotërim sipas Marrëveshjes së Hidrokarbureve dhe t’i përdorë këto të ardhura ashtu siç e gjykon të përshtatshme, duke ju nënshtruar pagesës së taksës mbi të ardhurat dhe detyrimet të tjera në Shqipëri.
- E drejta të hapë dhe të përdorë llogari të huaja bankare me qëllim që të paguajë për mallra, shërbime dhe personelin e kërkuar për kryerjen e Operacioneve të Hidrokarbureve nën Marrëveshjen e Hidrokarbureve.
- E drejta të konvertojë monedhën e huaj në monedhë vendase sipas kursit më të favorshëm të këmbimit në agjencitë e autorizuara, për të përmbushur detyrimet në monedhë vendase që lindin nga operacionet Hidrokarbure.
Në këtë Ligj është parashikuar gjithashtu se një marrëveshje hidrokarbure mund të përmbajë klauzola lidhur me stabilitetin e regjimit fiskal, si dhe klauzola për zgjidhjen nga arbitrazhi ndërkombëtar të mosmarrëveshjeve që lindin prej ose që lidhen me Marrëveshjen Hidrokarbure, nëse palë në të është një investitor i huaj.
Ndërsa në Nenin 6 të Ligjit Nr. 7746, dt. 28.07.1993 “Për hidrokarburet (Kërkimi dhe Prodhimi)”, i ndryshuar, janë parashikuar disa nga detyrimet (angazhimet) e Kontraktorit, të tilla si:
- Detyrimi për të kryer Operacione Hidrokarburesh në përputhje me këtë ligj, dispozitat ligjore në fuqi “Për mbrojtjen e mjedisit” dhe në përputhje me Rregulloret e nxjerra prej këtij ligji dhe me praktikat e mira të industrisë së naftës;
- Detyrimi për të raportuar në Ministri zbulimin e Hidrokarbureve në Zonën e Kontratës;
- Detyrimi për të përgatitur dhe për të paraqitur në ministri për miratim planin e vlerësimit të zbulimit;
- Detyrimi për të përgatitur dhe për t’i paraqitur Ministrisë për aprovim, , planin e zhvillimit në rast të një zbulimi komercial
- Detyrimi për të zhdëmtuar Shtetin ose Ministrinë ndaj gjithë pretendimeve të palëve të treta në lidhje me plagosjet, humbjet ose dëmtimet që rezultojnë nga ndonjë operacion i kryer nga Kontraktori ose nga ndonjë nënkontraktor;
- Detyrimi për t’i dhënë përparësi punësimit dhe kualifikimit të shtetasve shqiptarë, si dhe mallrave dhe shërbimeve vendase, në përputhje me klauzolat që do të përfshihen në Planin e Zhvillimit, në masën që ato janë kompetitive përsa i përket çmimeve dhe të krahasueshme përsa i përket cilësisë.
- E drejta e shoqërisë “Albpetrol” sh.a për të lidhur Marrëveshje Hidrokarbure
Ligji Nr. 7746, dt. 28.07.1993 “Për hidrokarburet (Kërkimi dhe Prodhimi)”, i ndryshuar parashikon se Ministria nёpёrmjet një Licencë Marrёveshjeje i jep tё drejtёn (autorizon) Albpetrolit pёr lidhjen e njё marrёveshje hidrokarbure me njё person juridik mё tё cilin ky i fundit dёshiron tё bashkёpunoj pёr qёllimet e pёrmendura nё “Marrёveshjen Albpetrol”.
Marrëveshja Albpetrol quhet Marrëveshja e lidhur më datë 26.07.1993 midis Ministrisë së Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjitike dhe Albpetrol-it, Bashkësisë Ekonomike të Naftës dhe Gazit me Objekt ”Autorizim për kryerjen e Operacioneve Hidrokarbure”, e cila më vonë është bërë pjesë e Ligjit nr. 7746, datë 28.07.1993 “Për hidrokarburet (Kërkimi dhe prodhimi)”, i ndryshuar.
Në bazë të Marrëveshjes Albpetrol, Ministria nëpërmjet një Licence (Marrëveshje e lidhur midis Ministrisë dhe Albpetrol-it), autorizon Albpetrol-in të kryejë operacione hidrokarbure vetë në objektet e cituara në Listat bashkëngjitur kësaj marrëveshjeje, ose në rast të kundërt të lidhë Marrëveshje Hidrokarbure me persona vendas ose të huaj si dhe institucione financiare ndërkombëtare, termat dhe kushtet e të cilave do të jenë në përputhje me Licencë Marrëveshjen e lidhur me Ministrinë si dhe në përputhje me Legjislacionin Shqiptar.