Administratori i shoqërisë Albpetrol sh.a, Z. Endri Puka mori pjesë më datë 29 Korrik 2014 në Analizën e 300 ditëve të para të qeverisjes të organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Në këtë konferencë ishin të pranishëm Zv. Kryeministri Niko Peleshi; Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri si dhe drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore; KESH; Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes; Shërbimi Gjeologjik Shqiptar; Inspektoratit Qendror Teknik; Agjencia Kombëtare e Bërthamore; RISHM-i etj.
Gjatë fjalës së tij Zv. Kryeministri Peleshi vlerësoi punën e mirë e kryer në sektorin e hidrokarbureve duke theksuar se tashmë ky sektor është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit shqiptar. Sipas tij, shifrat e 300 ditëve të para janë shpresëdhënëse dhe se në të ardhmen sektori i hidrokarbureve do të rrisë ndjeshëm performancën e tij.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ministri Gjiknuri, i cili theksoi se rezultatet e deri më tanishme e institucioneve si Albpetrol dhe AKBN janë tepër të mira. “Sektori fitimprurës, i prodhimit të naftës po rritet, me planet e zhvillimit që kemi mbi tryezë. Shqipëria do të kapë rekordet historike të prodhimit të naftës. Ne do të kryejmë procesin më transparent për prodhimin e hidrokarbureve, në të cilin shteti do marrë pjesën që i takon, në mënyrë që të mos nëpërkëmbet interesi shtetëror”,- tha ministri Gjiknuri.
Ndërkohë administratori i Albpetrol sh.a shpjegoi shkurtimisht disa nga arritjet e 300 ditëve të para. “Vetëm në 6 muajt e parë të vitit Albpetrol sh.a ka rritur kontributet në buxhetin e shtetit
shqiptar me 1.2 miliardë lekë, ose 63% me shumë se e njëjta periudhe e vitit të kaluar. Brenda
300 ditëve të para të administratës së re prodhimi i naftës nga vetë shoqëria Albpetrol sh.a është rritur me 41%. Nga 80.5 që prodhohej në Shtator 2013, sot prodhojmë 127.2 Ton naftë në ditë”,- tha administratori i Albpetrol sh.a, Z. Endri Puka. Sipas tij, vetëm gjatë 300 ditëve të para të punës është shtuar numri i puseve aktive të vetë shoqërisë Albpetrol sh.a nga 786 në 847 puse nafte aktive.
Gjatë 300 ditëve të para shoqëria Albpetrol sh.a i është nënshtruar një ristrukturimi të thellë duke larguar të gjithë punonjësit e marrë në punë mbi organikën e nevojshme dhe duke rikthyer në punë rreth 500 specialistë të vjetër të naftës, të cilët ishin larguar padrejtësisht nga puna vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike. “Paketa e re fiskale e hyrë në fuqi më 1 Janar 2014 si dhe bashkëpunimi i ngushtë me Albpetrol sh.a, ka sjellë dyfishimin e pagesave të kryera nga kompanitë e Marrëveshjeve Hidrokarbure ndaj buxhetit të shtetit. Vetëm gjatë 300 ditëve të para është ulur ndjeshëm borxhi që i kishin Albpetrol sh.a kompanitë e Marrëveshjeve Hidrokarbure. Nga 67606 Ton naftë që ishte borxhi në vitin 2013, sot borxhi është në shifrat 8241 Ton naftë,pra është ulur me 59365 Ton”,- u shpreh administratori i Albpetrol sh.a.