Ditë: 20 Shkurt 2015

Albpetrol merr pjesë në seminarin për Studimin e Fizibilitetit të Tregut të Gazit

Përfaqësuesit e shoqërisë Albpetrol sh.a morën pjesë më datë 17 Shkurt 2014 në Seminarin “Master Plani – Studimi i Fizibilitetit të Tregut të Gazit në Shqipëri”, i organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me gjigantin botëror të gazit SOCAR. Ky takim i rëndësishëm mblodhi për herë të parë në një tryezë të përbashkët përfaqësuesit e SOCAR, Shell, British Petroleum, WBIF, TAP AG, KESH, Albpetrol, ECS, DG Energy, EBRD etj.
Gjatë takimit Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, vuri theksin tek rëndësia e procesit të gazifikimit të Shqipërisë dhe realizimi i projektit të gazsjellësit TAP, pjesë e korridorit jugor të gazit. Ministri shpjegoi se është me rëndësi të madhe që kompanitë vendase të mund të bëhen pjesë direkt e fazës së ndërtimit të rrugëve të aksesit në Shqipëri, por edhe në çdo fazë tjetër të projektit si nënkontraktorë.
Në takim diskutuan përfaqësues të të gjitha kompanive të interesuara në proces duke vënë theksin tek rëndësia e projektit të gazifikimit të Shqipërisë, por edhe në hartimin e një Master Plani gjithëpërfshirës dhe afatgjatë për çështjen e gazit në vendin tonë.
Përfaqësuesit e Albpetrol sh.a, morën pjesë në këtë takim si palë e interesuar direkt në procesin e gazifikimit të Shqipërisë, por edhe si kompania shtetërore e naftës, e cila zotëron të drejtat e shpërndarjes së gazit në Shqipëri. Drejtori i Marrëveshjeve Hidrokarbure në Albpetrol sh.a, z. Andi Derhemi, bëri një rezyme të situatës të rrjetit të gazit në Shqipëri si dhe të mundësive që paraqiten për industrinë e gazit në vendin tonë.
Projekti i gazifikimit të Shqipërisë u mbështet nga të gjithë të pranishmit në takim dhe gjigantët botërorë SOCAR, Shell dhe British Petroleum ofruan asistencën e tyre në këtë proces. Gjithashtu Bashkimi Europian ka dhënë një fond prej 1.1 milionë eurosh për të përfunduar Master Planin për gazifikimin e vendit.

Ndalohet rreptësisht riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij website. Te gjitha te drejtat te rezervuara. © 2018 Albpetrol