Shoqëria Albpetrol sh.a është bërë sot pjesë e thirrjes së katërt të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, 2019 një iniciativë kjo e Qeverisë Shqiptare. Ky program synon të pajisë studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë “Bachelor” me një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike, personale dhe njohja me administratën publike e jo-publike.
Në takimin e zhvilluar në mjediset e Ministrisë të Arsimit, Sportit dhe Rinisë më datë 14 Shkurt 2019 morën pjesë përfaqësues të kompanive publike dhe private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e hidrokarbureve; postë-telekomunikacionit; bankave; sigurimeve etj.
Në emër të shoqërisë publike Albpetrol sh.a, Administratori, Z. Kastriot Bejtaj nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit ku Albpetrol angazhohet në mbështetjen e profesionistëve të rinj për të kryer praktikat e punës 3-mujore pa pagesë, por dhe për t’i dhënë këtyre të rinjve mundësinë e punësimit në të ardhmen.
“Shoqëria Albpetrol sh.a e mirëpret nismën e Qeverisë Shqiptare që zhvillon për të katërtin vit radhazi të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Për vetë karakteristikat e punës në shoqërinë tonë, ne jemi nga shoqëritë që ofrojmë larminë më të madhe të vendeve të punës. Tek ne mund të punësohen profesionistë dhe të rinj nga pothuajse çdo fushë. Ne jemi të hapur dhe mirëpresim të gjithë të rinjtë që duan të afrohen në shoqërinë tonë pasi një nga synimet madhore që kemi, është edhe ripërtëritja e stafit me profesionistë të rinj. Për të gjithë studentët që duan të mësojnë dhe të punojnë në zonat naftëmbajtëse ne ofrojmë praktika profesionale për profesione të ndryshme si inxhinierë, financierë, juristë, informatikë dhe IT, kimistë, ekonomistë, etj. Ne kemi vetëm një kusht: Kualitetin e personave që aplikojnë. Kushdo që dëshiron të provojë vetën, e ka derën e hapur në Albpetrol sh.a, që sot”,- tha gjatë takimit Administratori i Albpetrol, Z. Kastriot Bejtaj.
Në përfundim të takimit u ra dakord që të shihet mundësia e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional për përfshirjen më të madhe të profesionistëve të rinj në proceset e punës në Albpetrol sh.a.