Ditë: 11 Mars 2019

Punonjësit e Albpetrol sh.a solidarizohen për të dhuruar gjak

Nisma për dhurimin e gjakut është shkresa e parë zyrtare e firmosur nga administrator Spahiu. Albpetrol do të tregojë profilin e saj social me nisma në ndihmë të qytetarëve.

Shoqëria Albpetrol sh.a solidarizohet për të dhuruar gjak për t’i ardhur në ndihmë personave të cilët kanë nevojë për të. Nisma për dhurimin e gjakut është shkresa e parë zyrtare e firmosur nga administrator i ri i shoqërisë Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu menjëherë pas marrjes së detyrës. Kërkesa për bashkëpunim i është drejtuar Kryqit të Kuq Shqiptar, dega Fier.

“Albpetrol është një shoqëri kombëtare dhe si e tillë duhet të tregojë edhe profilin e saj social. Dhurimi i gjakut është një gjest i vogël për secilin prej nesh, por është çështje jetësore për shumë persona. Kjo është vetëm nisma e parë e karakterit social që ndërmerr shoqëria jonë. Në të ardhmen do të vijojmë me nisma të tjera në ndihmë të komunitetit në përgjithësi si dhe duke u fokusuar veçanërisht në zonat ku ne ushtrojmë aktivitetin tonë”,- tha Administratori i Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu.

Nevojat për gjak në rang kombëtar janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut shërben shpesh herë për të shpëtuar jetën dikujt të përfshirë në një aksident apo ndërhyrje kirurgjikale, por gjithashtu edhe për personat që vuajnë nga sëmundje kronike gjaku si anemi, talasemi, hemofili, anemitë hemolitike, hemofili, leuçemi etj. Punonjësit e Albpetrol sh.a kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në këtë kauzë të mirë.

 

Ndalohet rreptësisht riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij website. Te gjitha te drejtat te rezervuara. © 2018 Albpetrol