Ditë: 7 Qershor 2019

Albpetrol sh.a vlerëson punonjësit më të mirë të 2018

Arqile Piperi, Drejtor i Drejtorisë të Gjeologjisë dhe Ida Çina, Shefe e Sektorit Ekonomik në Drejtorinë e Marrëveshjeve Hidrokarbure, janë vlerësuar për kontributin e dhënë, aftësinë profesionale dhe integritetin e lartë.

Shoqëria Albpetrol sh.a ka vlerësuar dy punonjësit e saj më të dalluar për vitin 2018, një praktikë kjo e kryer për herë të parë, por që do të kthehet në një standard për vitet në vijim. Ata janë Z. Arqile Piperi, i cili u vlerësua si Drejtuesi më i mirë për vitin 2018 dhe Znj. Ida Çina, e cila u vlerësua si punonjësja më e mirë e vitit 2018. Përmes kësaj procedure shoqëria Albpetrol sh.a synon që të promovojë punonjësit me rezultatet më të mira në punë dhe të shtyjë të gjithë stafin që të tejkalojë pritshmëritë.

Ky vlerësim i është dhënë z. Arqile Piperi në shenjë mirënjohje për punën e mirë të kryer gjatë Vitit 2018, përkushtimin dhe devotshmërinë në punë dhe rezultatet e larta në drejtimin e Drejtorisë të Gjeologjisë, por edhe detyrat e tjera që i janë ngarkuar gjatë vitit. Përkrah eksperiencës të gjerë në sektorin e naftës në Shqipëri, zoti Piperi ka kontribuuar në përmirësimin e rezultateve të shoqërisë Albpetrol sh.a dhe të gjithë industrisë të naftës në Shqipëri.

Ndërkohë Znj. Ida Çina, Shefe e Sektorit Ekonomik në Drejtorinë e Marrëveshjeve Hidrokarbure, është vlerësuar në shenjë mirënjohje për punën e mirë të kryer gjatë Vitit 2018, zbatimin me korrektësi dhe përkushtimin të detyrave të caktuara, zhvillimit profesional e personal si dhe etikën e lartë në punë. Znj. Çina është dalluar në sektorin e saj, dhe jo vetëm, për përkushtim të lartë në punë duke përmbushur me korrektesë dhe tejkaluar detyrat që i janë dhënë. Gjatë vitit 2018 ajo ka treguar aftësi shembullore të rritet profesionalisht dhe të ndihmojë edhe kolegët e tjerë të kryejnë detyrat e tyre.

“Njerëzit janë dhe do të jenë gjithmonë pasuria jonë më e madhe. Aftësitë dhe kontributet e dy punonjësve që ne vlerësojmë sot janë një nga pikat më të forta për suksesin e shoqërisë tonë. Në krenohemi me faktin se Arqile Piperi dhe Ida Çina janë anëtarë të rëndësishme e ekipit tonë. Ky vlerësim do të kthehet në një traditë për shoqërinë tonë”,- u shpreh Administratori i shoqërisë Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu.

 

Ndalohet rreptësisht riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij website. Te gjitha te drejtat te rezervuara. © 2018 Albpetrol