Administratorja e re e shoqërisë Albpetrol sh.a, Znj. Eriola Muka, ka zhvilluar takimin e parë të punës me strukturën drejtuese të shoqërisë dhe të qendrave ku ka prezantuar prioritetet për menaxhimin e shoqërisë Albpetrol. Znj. Muka, e cila zëvendësoi në këtë pozicion Z. Dritan Spahiu, vjen nga një eksperiencë 20 vjeçare në sektorin publik dhe atë privat.
Zv. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Z. Ilir Bejtja, i cili ishte i pranishëm në takim, vuri theksin tek nevoja për reformimin e shoqërisë Albpetrol sh.a dhe tek fakti që kërkesat e Ministrisë të Infrastrukturës dhe Energjisë ndaj kësaj shoqërie janë shumë të larta. “Administratorja e re ka mbështetjen maksimale të Ministrisë. Znj. Muka ka planin dhe idetë e qarta se si do të zhvillohet shoqëria në të ardhmen. Ne si Ministri besojmë se me mbështetjen tuaj Administratorja e re do të arrijë objektivat dhe do të bëjë një punë të shkëlqyer”,- u shpreh Zv. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Z. Bejtja.
Gjatë takimit të parë me stafin, Znj. Muka vuri theksin tek aspektet kryesore të menaxhimit të shoqërisë, e cila operon në një nga sektorët më të rëndësishëm dhe me kontribut më domethënës në ekonominë e vendit. “Do të fillojmë me ngritjen e një sistemi të menaxhimit të integruar të informacionit, për aktivitetin e shoqërisë Albpetrol sh.a. Një vëmendje të veçantë do të ketë informatizimi i të dhënave në sektorin financiar; buxhetor dhe në atë të burimeve njerëzore. Gjithashtu do të përditësojmë informacionin mbi vendburimet, puset e naftës, kapacitetet prodhuese, jetëgjatësinë e tyre, si dhe dixhitalizimin e informacioneve hartografike dhe të dhënave të secilit vendburim, një pasuri dhjetëra vjeçare e Albpetrol sh.a”,- tha Administratorja Muka në takimin me stafin drejtues.
Do vijojmë me ritme të shpejta dhe hapa të qëndrueshëm, reformën e ristrukturimit të shoqërisë Albpetrol sh.a, përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë për punonjësit si dhe përmirësimin e sistemit të pagave. Në këtë fushë do të punohet me ngulm për të arritur një optimizim sa më të mirë të fuqisë punëtore të shoqërisë që kompania të jetë më eficiente.
“Në fokusin e punës time është përmirësimi i imazhit të shoqërisë. Albpetrol është një kompani kombëtare me potencial shumë të madh dhe ne do të punojmë që të rrisim kredibilitetin në tregun vendas, por edhe tek partnerët ndërkombëtarë. Interesimi për naftën shqiptare është i madh dhe ne synojmë që Albpetrol të aplikojë standardet më të mira të operimit, si një shoqëri e mirëfilltë tregtare, në sektorin hidrokarbur në Shqipëri”,- tha administratorja Muka. Sipas saj, e ardhmja e Albpetrol do të ngrihet bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, të cilat do të aplikohen në shoqërinë shtetërore të prodhimit të naftës në Shqipëri.