Ditë: 18 Maj 2020

Merr zgjidhje situata e depozitimit të naftës bruto të Albpetrol

Shoqëria Albpetrol sh.a pritet që të rifillojë shumë shpejt prodhimin e naftës, proces i bllokuar prej disa ditësh për shkak të situatës të krijuar nga pandemia e Covid-19 dhe situata botërore e naftës, e cila ka vënë në vështirësi të madhe edhe Shqipërinë. Ekipi i specialistëve të Albpetrol sh.a, nën drejtimin e Administratorit Genti Gazheli, bëri të mundur që në një kohë rekord t’i japë zgjidhje teknike situatës të kapaciteteve depozituese të naftës për të mundësuar rifillimin e punës në vendburime.

Administratori, Genti Gazheli, së bashku me stafin teknik, kryen një vizitë në Stacionin e Depozitimit të Naftës Bruto, Kuçovë, ku ka filluar edhe procesi i evadimit të naftës drejt Parkut të Rezervuarve Sheqishtë-Marinëz. Ky proces do të bëjë të mundur hapjen e kapaciteteve të lira në vendburimin Kuçovë. Si rrjedhim, brenda pak ditësh, parashikohet të rifillojë procesi i prodhimit të naftës bruto në këtë vendburim. Procesi i evadimit të naftës bruto do të vijojë edhe nga vendburimet e tjera, për të zhbllokuar situatën e prodhimit në shoqërinë publike të naftës në Shqipëri.

Vizita vijoi në Parkun e Rezervuarve Sheqishtë-Marinëz, në të cilin vetë Albpetrol sh.a ka kryer një sërë punimesh teknike për të kthyer këto depozita, për aq sa ishte e mundur, në gjendje funksionale. Vlerësimi paraprak është se këto ndërhyrje do të përballojnë një kapacitet paraprak prej 10.000 metër kub shtesë. Kapaciteti shtesë do t’i mundësojë Albpetrol sh.a vazhdimin e operacioneve të prodhimit për rreth 45 ditë.

Ndërhyrjet teknike në Parkun e Rezervuarve Sheqishtë-Marinëz janë kryer nga vetë punonjësit e Albpetrol sh.a, pjesë e Qendrës të Emergjencave të Naftës dhe Gazit, e cila është njësia më e specializuar për naftën dhe gazin në Shqipëri.

 

Ndalohet rreptësisht riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij website. Te gjitha te drejtat te rezervuara. © 2018 Albpetrol