Transparenca e industrisë nxjerrëse në Shqipëri dhe gjetja e mënyrave që të ardhurat nga ky aktivitet të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit ishte tema kryesore e një takimi të zhvilluar nga drejtuesit e Albpetrol sh.a me përfaqësuesit e Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI).
EITI, në funksion të transparencës, monitoron të ardhurat e kompanive që operojnë në sektorin nxjerrës, si dhe pagesat që kompanitë bëjnë në institucionet shtetërore, të cilat konsiderohen të ardhura për shtetin. Parimet EITI bazohen në besimin se përdorimi i kujdesshëm i burimeve natyrore kontribuon në rritjen ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e varfërisë në vendet e pasura me burime natyrore. EITI ka për qëllim promovimin e transparencës për të parandaluar korrupsionin, si dhe t’i sigurojë qytetarëve një bazë për të kërkuar përdorimin e drejtë të të ardhurave.
Albpetrol sh.a është një nga kontributorët e raportit të EITI prej shumë vitesh duke garantuar një transparencë më të madhe të sektorit hidrokarbur në Shqipëri. Gjatë takimit u diskutuan detaje dhe hapa konkrete si mund të përmirësohet transparenca e industrisë nxjerrëse në Shqipëri. Albpetrol u angazhua për të kontribuuar edhe më shumë në raportin e radhës, i cili pritet të publikohet shumë shpejt.