Bazuar në urdhrin e Administratorit të Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu, një grup i veçantë do të kryejë kontrollin dhe verifikimin e burimeve të mundshme të ndotjes nga hidrokarburet të lumit Gjanicë

Lumi i Gjanicës në Fier nuk do të ndotet më nga kompanitë e naftës që kryejnë operacione në këtë zonë. Bazuar në urdhrin e Administratorit të Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu, një grup i veçantë do të kryejë kontrollin dhe verifikimin e burimeve të mundshme të ndotjes nga hidrokarburet të lumit Gjanicë, të cilat mund të rezultojnë nga kryerja e operacioneve hidrokarbure të Albpetrol sh.a. dhe/ose të kontraktorëve në marrëveshje hidrokarbure.

“Grupi i punës ka për detyrë kryerjen e inspektimit në terren të gjithë gjatësisë gjeografike të lumit Gjanicë, me synim identifikimin e burimeve të mundshme të ndotjes nga hidrokarburet. Dokumentimi do të kryhet duke mbajtur shënim koordinatat gjeografike, të pikave të identifikuara përgjatë lumit Gjanicë, sipas sistemit koordinativ WGS84 dhe KRGJSH-2010”,- thuhet në urdhrin e Administratorit të Albpetrol sh.a.

Sipas tij,  përveç matjes dhe përcaktimit të koordinatave gjeografike, do të gjurmohet burimi i mundshëm i ndotjes nga pika e derdhjes në lumin Gjanicë, deri tek ndotësi i mundshëm, dhe gjurma përkatëse do të reflektohet në hartë dixhitale duke u gjurmuar me pika gjeografike me distancë jo më të madhe se 100m nga njëra tjetra. Grupi i punës do të kryejë një përshkrim teknik të shkakut dhe natyrës së ndotjes së identifikuar dhe kompanitë përgjegjëse do të detyrohen të marrin masa të menjëhershme.