Category: Lajme dhe njoftime

Qeveria bën gati Statusin e Naftëtarit, përfitojnë 5 mijë persona

Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, ai i Mirëqenies Sociale Z.Blendi Klosi dhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin znj. Ermonela Felaj zhvilluan sot një takim me përfaqësues të sindikatave të naftëtarëve ku prezantuan draftin e Statusit të Naftëtarit.

 

Numri i përfituesve të këtij statusi llogariten rreth 5 mijë vetë ndërsa përfitues të pensionit në vitin e parë si rezultat i uljes së moshës së pensionit me pesë vjet llogaritet afërsisht 2 mijë persona.

 

Nisma ka marrë formën përfundimtare si draft dhe pas miratimit në qeveri i kalon për diskutim dhe miratim Kuvendit të Shqipërisë. Ky projektligj përcakton pozitën juridike, ekonomiko -financiare dhe shoqërore, kërkesat e  përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të Industrisë së Naftës dhe Gazit në Republikën e Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimit në shëndet të kësaj pune, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre.

 

“Dua të ju komunikoj mesazhin e Kryeministrit dhe qeverisë. Ne sot i kthyem përgjigje Kuvendit të Shqipërisë që jemi duke e miratuar këtë status. Projektligji i qeverisë i bërë nga qeveria, ka marrë parasysh imputet e të gjithë aktorëve të interesuar, nuk duhet ta harrojmë këtë pasi ka qenë një produkt i përbashkët. Dua të falenderoj edhe njëherë këtu të gjithë deputetët prezentë, të gjithë kanë qenë shumë të interesuar për promovimin e kësaj çështje dhe që besoj është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Fierit, qytetarët e Vlorës, qytetarët e Beratit, të gjithë ata njerëz që me vite kanë kontribuar në sektorin e naftës. Patjetër ne ndihemi krenar si qeveri dhe si maxhorancë që po plotësojmë diçka të domosdoshme të merituar për shumë njerëz që kanë bërë sakrifica në këtë industri”, u shpreh ministri Gjiknuri.

 

Ndërkaq, Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi deklaroi se e vlerëson faktin se tashmë po piqen kushtet që statusi i naftëtarit të bëhet realitet. “Të bëhet realitet dhe një brez shumë i gjërë naftëtarësh, kontribues në ndërtimin e Shqipërisë në dekada, të marrin një status i cili është i veçantë edhe për vet faktin e qënies së veçantë të vet naftëtarëve. Kanë dhënë kontribute e kanë punuar aq fort që ky vend të ketë një nga burimet më të mëdha natyrore kombëtare”, nënvizoi z.Klosi. Ai sqaroi se projektligji ka një faturë financiare dhe atë qeveria merr përsipër ta mbulojë nga vet skema e sigurimeve shoqërore. “Falë kontributit që qytetarët shqiptarë kanë dhënë për përmirësimin e kësaj skeme dhe kthimin e saj në rentabël”, tha Klosi.

 

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj tha se Statusi është përmbushja e një premtimi publik por edhe elektoral që kjo qeveri u ka bërë naftëtarëve. “Të miratosh Statusin e Naftëtarit do të thotë të vësh në vend dinjitetin e këtyre naftëtarëve dhe nuk flas vetëm për ata që janë në punë por edhe për ish-naftëtarët, specialistët e naftës e gazit që i kanë dedikuar jetën e tyre naftës”, u shpreh Felaj.

 

Ismet Beqiri, teknolog në industrinë e naftës deklaroi se ndjehet i respektuar që i është bashkuar ekipit që ka punuar fort për Statusin e Naftëtarëve. “Është një nga lajmet më të mira që nga rifillimi i industrisë së naftës. Falenderoj Kryeministrin, ju si Ministra që po mbani fjalën e dhënë para tre vitesh e gjysmë”, theksoi ai.

 

Sipas draftit, përfituesit do të jenë ushtruesit e profesionit, tani dhe ne të kaluarën, të përfshirë në të gjithë zinxhirin e prodhimit: nga sektori i kërkimit, prodhimit, përpunimit, transportit me naftësjellës dhe gazsjellës, si dhe ne institucionet tekniko-shkencore dhe administrative të naftës e gazit. Nuk janë lënë në harresë as ata që janë të aksidentuar në punë pavarësisht kohës së punës në këtë industri.

 

Përcaktohet procedura dhe dokumentat e nevojshëm për marrjen e statusit. Paga minimale e personave me këtë status propozohet të bëhet minimalisht sa 150% e pagës minimale në rang vendi. Propozohet që përfitime të kenë dhe personat që, pas një eksperience të konsiderueshme në këtë fushë, janë të papunë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit.

 

Përgjegjësi propozohet që t’u ngarkohet dhe kompanive të naftës, të cilat në raste ristrukturimi apo largimi nga puna për arsye që nuk varen nga naftëtari, u paguajnë atyre një shpërblim 60% ose 80% të pagës minimale neto në shkallë vendi.

 

Drafti ka dhe përcaktim të ndarjes së moshës së daljes në pension dhe përfitimet relevante, duke bërë një ndarje edhe për pozicione dhe vende pune, “punë të vështira ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njeriut”, sipas VKM nr. 207, datë 09.05.2002, “Për përcaktimin e punëve të vështira ose të rrezikshme” dhe akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Konkretisht : Mosha e daljes në pension për këto persona për punë të rrezikshme është 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë dhe periudhë të përgjithshme sigurimi 30 dhe 25 vjet dhe vjetërsi në këto profesione sa ½ e vjetërsisë së përgjithshme.

 

Përveç moshës, me statusin e naftëtarit, individët propozohët që të përfitojnë edhe në masën e pensionit ku sipas rastit, do të kenë një përqindje të caktuar më të lartë se shuma sipas formulës bazë. Punonjësit e industrisë së naftës dhe gazit që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që dalin në pension ose kanë dalë në pension, përfitojnë shtesë pensioni a).- në masën 60% të vlerës së pensionit të plotë të pleqërisë, të llogaritur apo aktual, për punonjësit që kanë jo më pak se 30 vjet punë për burrat dhe 25 vjet punë për gratë, në industrinë e naftës; b).- në masën 40% të vlerës së pensionit të plotë të pleqërisë, të llogaritur apo aktual, për punonjësit që kanë jo më pak se 20 vjet punë për burrat dhe 18 vjet punë për gratë në industrinë e naftës).

 

Gjithashtu, personat me statusin e naftëtarit propozohet të përfitojnë edhe kontroll mjekësor falas 2 herë në vit. Përfitime të tjera parashikohen edhe në raste specifike, nëse evidentohen sëmundje të krijuara drejtpërdrejt nga puna në Industrinë e Naftës dhe Gazit. Madje, propozohet që ata të përfitojnë dhe 25% shtesë, të paguar, në pushime vjetore.pecialistët e lartë që gëzojnë statusin e naftëtarit, dhe që janë autorë ose bashkëautorë të studimeve, projekteve dhe raporteve në industrinë e naftës dhe të gazit, gëzojnë të drejtën e autorësisë dhe pronësisë intelektuale për këto studime.

 

Përfituesit e statusit të naftëtarit, sipas këtij ligji, propozohet të jenë përfitues në privatizimin e Industrisë se Naftes dhe Gazit në raport me kohën e punës, shkallën e kualifikimit dhe kategorizimit të punës. Kriteret, masa dhe procedurat e përfitimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Albpetrol përgënjeshtron deklaratat e deputetit Sali Berisha: Ja e vërteta e shitjes së naftës bruto

Reagim nga shoqëria Albpetrol sh.a

 

Ditën e sotme, në disa portale online, është publikuar një lajm ku pretendohet se shoqëria Albpetrol sh.a ka shitur naftën bruto në vitin 2014 më lirë se sa kompania Bankers Petroleum dhe pa marrë si referencë çmimin e naftës në bursë. Ky publikim është i pasaktë dhe Albpetrol sh.a sqaron si më poshtë:

Të gjitha shoqëritë e licencuara për shitjen e naftës bruto, përfshirë dhe Albpetrol sh.a operojnë me çmime që kanë si referencë treguesit e publikuar në bursat ndërkombëtare.

Albpetrol sh.a e shet naftën e saj në tregun vendas përmes një ankandi të hapur dhe publik, ndërkohë që çmimi fillestar llogaritet në përputhje me specifikimet teknike të lidhura me treguesin Brent. Kompania që shpallet fituese është ajo që ofron çmimin më të lartë gjatë Ankandit.

Në lidhje me ankandet e pretenduara në publikimin në fjalë sqarojmë se nuk janë zhvilluar në kohën kur Ministër i Energjisë dhe Industrisë ishte Z. Damian Gjiknuri dhe Administrator i Albpetrol sh.a ishte Z. Endri Puka.  Te gjitha ankandet janë zhvilluar nga administrata e kaluar para Tetorit 2013 dhe Albpetrol sh.a ka pasur detyrimin ligjor të zbatimit të kontratave, të cilat janë ekzekutuar gjatë periudhës Janar 2013-Dhjetor 2014. Gjatë ekzekutimit të këtyre kontratave, më periudhën që Albpetrol drejtohej nga Partia Demokratike, janë lënë 9 milion USD pa paguar, fakt për të cilin Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka kallëzuar në Dhjetor 2013 në Prokurorinë e rrethit Fier ish-administratorin Ferdinand Murati.

Në materialin e publikuar pretendohet se çmimi  naftës së shitur ne përputhje me Ankandet e specifikuara më sipër nga Albpetrol sh.a është ndjeshëm më i ulët se sa çmimi me të cilin kanë shitur operatorët e tjerë të tregut. Kjo është e pasaktë pasi çmimi i naftës së shitur nga shoqëria Albpetrol sh.a është i njëjtë, madje në shumë raste edhe më i lartë se sa çmimi që kanë shitur kompanitë e tjera në tregun vendas si “Stream Oil and Gas” apo “Trans Oil”, kompani të cilat për nga përmasat, mënyra e shitjes dhe cilësia e naftës janë të ngjashme me Albpetrol sh.a.

Lidhur me diferencat në çmim me kompaninë Bankers Petroleum, ndryshimi vjen për shkak të faktit se Albpetrol sh.a e shet naftën e saj në tregun vendas dhe me kushtin që Blerësi, me mjetet e tij, te realizoje transportin duke e tërhequr naftën nga Magazinat e Albpetrol.

Ndërkohë kompania Bankers Petroleum në këtë periudhe e ka shitur naftën në eksport nën kushtet FOB, të ngarkuar në anijen e blerësit në portin e Petroliferes, Vlorë.

Shitja e naftës nga porti i Petroliferas ka kosto shtesë krahasuar me një shitje që Bankers Petroleum mund të realizonte në të njëjtat kushte si Albpetrol:

Transportin e naftës nga Patos Marinza në Vlorë, Përdorim Holluesi për të përmirësuar cilësinë e produktit dhe për të mundësuar transportin, Depozitim dhe magazinim në depozitat e Petroliferas, ngarkim në anije, firo teknike, kostot e eksportit, kostot e ndërmjetësit etj.

Këto kosto ndikojnë në rritjen me rreth 10-20% të kostos së naftës brut dhe të çmimin të shitjes të saj.

Ndërkohë vlerat neto të përfituara nga shoqëritë respektive janë të përafërta dhe nuk kanë asnjë lidhje me shifrat spekulative të përmendura në publikimin në media.

Drejtoria e Marketingut

dhe Marrëdhënieve Publike

Request for proposal for legal services.

Albpetrol is a trade company that owns the rights for exploration, development and production of existing oilfields in the Republic of Albania.

We are currently operating the Patos-Marinza oilfield, by means of a Petroleum Agreement we have signed with Bankers Petroleum Albania Ltd. (former Saxon International Petroleum Ltd.), an offshore company incorporated and existing under the Cayman Law.

On 25 September 2015, Bankers Petroleum Albania Ltd. (the Claimant) has filed an application for arbitration at the International Chamber of Commerce (ICC) (ICC 21349 EMT) on the dispute regarding the recoverable costs.

First hearing by the Tribunal is set on December 14, 2015.

Please keep in mind that all disputes that are subject to arbitration in accordance with the Petroleum Agreement, are governed by the laws of England.

To ensure a successful and high-profile professional defense, we want to invite all interested lawyers and law firms specialized in the international arbitration of the International Chamber of Commerce (ICC).

This meetings shall take place in Tirana, Albania, on 23-27 November 2015.

All interested parties should be well-known and reputed in the field of practice according to rankings of the international leading legal guides governments and state-owned entities.

Also, all interested parties should have extensive experience in representation of the disputes derived from oil & gas industry.

All interested parties should contact us via email on: info@albpetrol.al.

Albpetrol merr pjesë në seminarin për Studimin e Fizibilitetit të Tregut të Gazit

Përfaqësuesit e shoqërisë Albpetrol sh.a morën pjesë më datë 17 Shkurt 2014 në Seminarin “Master Plani – Studimi i Fizibilitetit të Tregut të Gazit në Shqipëri”, i organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë në bashkëpunim me gjigantin botëror të gazit SOCAR. Ky takim i rëndësishëm mblodhi për herë të parë në një tryezë të përbashkët përfaqësuesit e SOCAR, Shell, British Petroleum, WBIF, TAP AG, KESH, Albpetrol, ECS, DG Energy, EBRD etj.
Gjatë takimit Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, vuri theksin tek rëndësia e procesit të gazifikimit të Shqipërisë dhe realizimi i projektit të gazsjellësit TAP, pjesë e korridorit jugor të gazit. Ministri shpjegoi se është me rëndësi të madhe që kompanitë vendase të mund të bëhen pjesë direkt e fazës së ndërtimit të rrugëve të aksesit në Shqipëri, por edhe në çdo fazë tjetër të projektit si nënkontraktorë.
Në takim diskutuan përfaqësues të të gjitha kompanive të interesuara në proces duke vënë theksin tek rëndësia e projektit të gazifikimit të Shqipërisë, por edhe në hartimin e një Master Plani gjithëpërfshirës dhe afatgjatë për çështjen e gazit në vendin tonë.
Përfaqësuesit e Albpetrol sh.a, morën pjesë në këtë takim si palë e interesuar direkt në procesin e gazifikimit të Shqipërisë, por edhe si kompania shtetërore e naftës, e cila zotëron të drejtat e shpërndarjes së gazit në Shqipëri. Drejtori i Marrëveshjeve Hidrokarbure në Albpetrol sh.a, z. Andi Derhemi, bëri një rezyme të situatës të rrjetit të gazit në Shqipëri si dhe të mundësive që paraqiten për industrinë e gazit në vendin tonë.
Projekti i gazifikimit të Shqipërisë u mbështet nga të gjithë të pranishmit në takim dhe gjigantët botërorë SOCAR, Shell dhe British Petroleum ofruan asistencën e tyre në këtë proces. Gjithashtu Bashkimi Europian ka dhënë një fond prej 1.1 milionë eurosh për të përfunduar Master Planin për gazifikimin e vendit.

Punonjësit e Albpetrol sh.a në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura

Punonjësit e shoqërisë Albpetrol sh.a janë solidarizuar me banorët e zonave të përmbytura nga reshjet e shirave në qarkun e Fierit duke dhuruar ushqime dhe veshmbathje kundër ujit. Të gjithë punonjësit e shoqërisë Albpetrol sh.a, në mënyrë unanime, kanë dhuruar para nga të ardhurat e tyre për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura në qarkun e Fierit. Përmes këtij aksioni janë grumbulluar më shumë se 2.500.000 lekë të reja.

Një përfaqësi e shoqërisë Albpetrol sh.a ka marrë kontakt me banorët e zonave të përmbytura dhe përfaqësuesit e pushtetit lokal, të cilët kanë kërkuar që ndihmat të jenë kryesisht ushqime dhe veshmbathje kundër ujit. Gjithsej banorët e zonave të përmbytura kanë marrë 50 Ton ushqime dhe veshmbathje kundër ujit, të cilat janë dhuruar nga punonjësit e Albpetrol sh.a.

Albpetrol shifër rekord faturimesh në 9 mujorin e parë

Shoqëria Albpetrol sh.a ka zhvilluar analizën e punës së saj për 9 mujorin e vitit 2014, nga e cila rezulton një shifër rekord faturimesh dhe kontributesh në buxhetin e shtetit. Për herë të parë pas shumë vitesh shoqëria Albpetrol sh.a është kthyer në një nga financuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit.

Gjatë 9 muajve të parë të vitit 2014 shoqëria Albpetrol sh.a ka faturuar për shitje dhe shpenzime më tepër se 9 miliardë lekë të reja. Kjo është një rritje e ndjeshme në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur shifra e faturimeve ishte 4 miliardë lekë të reja, ose 46 milionë USD me pak.

Rritja e faturimeve dhe të ardhurave të shoqërisë Albpetrol sh.a ka ndikuar drejt për drejtë në rritjen e kontributeve që shoqëria jonë ka derdhur në buxhetin e shtetit. Gjatë kësaj periudhe Albpetrol sh.a ka derdhur në buxhetin e shtetit rreth 35 milionë USD, ose 12 milionë USD më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Kjo rritje e faturimeve dhe të ardhurave i ka mundësuar shoqërisë Albpetrol sh.a që përveçse të rrisë kontributet në buxhetin e shtetit, të arrijë të shlyejë edhe të gjitha borxhet e grumbulluara gjatë viteve të kaluar. Vlen të theksohet se Albpetrol sh.a vetëm ndaj OSHEE ka shlyer gjatë vitit 2014 më shumë se 10 milionë USD detyrime dhe kamatë vonesa të krijuara nga viti 2008 deri në vitin 2013.

Një tjetër tregues i përmirësuar ndjeshëm gjatë 9 muajve të parë të vitit 2014 nga shoqëria Albpetrol sh.a është edhe ulja e humbjeve fizike në Ton. Rezultati i 9 muajve të parë, por edhe rezultati i pritshëm i fundvitit është rezultati më i mirë i 24 viteve të fundit (nga viti 1991 e deri më sot). Në fund të vitit shoqëria Albpetrol sh.a parashikon që niveli i humbjeve fizike të jetë 650 ton naftë në një kohë kur në vitin 2013 humbjet fizike arritën shifrën e frikshme prej 7259 tonëve naftë me një vlerë prej më tepër se 4 milionë USD.

 

 

Albpetrol ne Panairin e Punesimit

Shoqëria Albpetrol sh.a ka marrë pjesë në panairin “Work & Study” të zhvilluar në datat 3-4-5 Tetor në Tiranë duke pasur një stendë të sajën ku janë ekspozuar mundësitë e punësimit në shoqërinë tonë. Panairi është organizuar nga Dhoma Kombëtare e Tregtisë dhe Industrisë me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ky ishte edicioni i pestë i panairit dhe në të morën pjesë rreth 40 kompani të ndryshme.
Në këtë panair janë prezantuar 3646 vende vakante pune, ose 20% më shumë se vitin e kaluar. Gjatë panairit u prezantuan vendet e lira të punës në shoqërinë Albpetrol sh.a dhe u pranuan aplikime nga të interesuarit duke pasur në konsiderate kriteret e përcaktuara paraprakisht nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore për secilin post pune.
Qindra persona vizituan stendën e Albpetrol sh.a duke u interesuar për mundësitë e punësimit. Rreth 120 prej tyre kanë depozituar CV-të e tyre, të cilat do të shqyrtohen nga shoqëria jonë. Pjesa më e madhe e aplikantëve ishin me arsim të lartë në degate inxhinierisë së naftës, asaj elektrike, mekanike, ndërtimi dhe fushën e ekonomisë.

 

Reagimi i shoqërisë Albpetrol sh.a ndaj raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit

Shoqëria Albpetrol sh.a është njohur sot me lajmin e shpërndarë në media nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe dëshirojmë që të sqarojmë opinionin publik për të vërtetën mbi këtë rast. Materiali i publikuar sot në media është akti i fundit në vazhdën e presioneve dhe shantazheve që janë ushtruar përgjatë katër muajve të fundit nga inspektorët e KLSH-së mbi një pjesë të drejtuesve të Albpetrol sh.a. Të gjitha këto presione dhe shantazhe janë kryer me urdhër direkt të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj.

Pa dashur që të komentojmë rreth arsyeve personale dhe politike që e shtyjnë këtë person të kryejë veprime të tilla të paligjshme, dëshirojmë që të informojmë opinionin publik lidhur me deklarimet spekulative; të gënjeshtërta; konfuze, por edhe në mospërputhje me raportin përfundimtar të kontrollit të vetë KLSH-së.

Kontrolli i Lartë i Shtetit i faturon si dëm ekonomik administratës aktuale të Albpetrol sh.a vlerën 9.1 milionë dollarë në një kohë kur ky dëm është shkaktuar përpara datës 1 Tetor 2013, kur ka filluar punë administrata e re. Për më tepër ky dëm është tentuar që të fshihet nga ana e KLSH-së në kontrollin e zhvilluar në Gusht 2013 dhe është zbuluar nga Auditi i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë në  muajin Nëntor 2013. Për këtë çështje shoqëria Albpetrol sh.a ka depozituar një Kallzim Penal në Prokurorinë e Rrethit Fier më datë 13.12.1013.

KLSH bën fajtor Administratën aktuale për njohjen e zbritjes së holluesit të naftës ndërkohë që Marrëveshja për zbritjen e holluesit është nënshkruar në vitin 2011 dhe për më tepër është anuluar si e paligjshme nga administrata aktuale më datë 06.11.2013.

Në mënyrë të qëllimshme KLSH bashkon diferencën prej rreth 5.000 ton naftë bruto bashkërisht në vitet 2013-2014, ndërkohë që kjo diferencë është konstatuar për periudhën përpara datës 1 Tetor 2013. Pra bëhet fjalë për një shkelje të ndodhur në administratën e kaluar dhe që për më tepër Albpetrol sh.a ka depozituar në prokurori dy kallëzime penale për këtë çështje më datat 13.12.1013 dhe 14.01.2014. Në vend që për këtë dëm KLSH të bëjë përgjegjës personat që kanë drejtuar në periudhën kur është shkaktuar humbja, në mënyre abuzive bëhen fajtorë personat që e kanë marrë detyrën më datë 01.11.2013.

Për sa i takon dëmit ekonomik të pretenduar nga KLSH të shkaktuar nga largimi i punonjësve nga puna me pushim kolektiv, në mënyrë tendencioze KLSH ia faturon këtë dëm administratës aktuale në një kohë kur kjo administratë nuk ka asnjë vendim gjyqësor të përfunduar. Vendimet e përmendura nga KLSH janë të administratës së kaluar. Vetë KLSH saktëson se dëmi është shkaktuar në vitet 2008-2013, por asnjë herë nuk ia ka cilësuar si dëm administratës së kaluar dhe me papërgjegjshmëri ia faturon drejtuesve që kanë filluar punë në Tetor 2014.

KLSH në mënyrë tendencioze deklaron që Albpetrol sh.a ka nënshkruar një kontratë shitje me një kompani koncesionare, në një kohë kur ka dijeni të plotë se Albpetrol sh.a ka arkëtuar shumat për naften që kjo kompani nuk ja kishte dorëzuar Albpetrol në vitet 2011-2012. KLSH nuk ka propozuar asnjë masë për këtëçështje në vitet 2011 dhe 2012, por në mënyrë kontradiktore deklaron se ky veprim ka shkaktuar dëm ekonomik. Ky veprim jo vetëm që nuk ka shkaktuar dëm, por përkundrazi është realizuar një përfitim rreth 2.500.000 USD më i lartë se përfitimi që do të realizohej nëse e njëjta sasi do të shitej me çmimin e ankandeve të viteve 2012 dhe 2013. Çmimi i arkëtuar nga Albpetrol sh.a prej 73.96 USD/barelë është çmimi më i lartë i realizuar në vitet e fundit. Për krahasim, në Gusht 2013 është nënshkruar nga Albpetrol një kontratë për shitjen e 30.000 Ton naftë me çmimin 60% brent, e cila në vlerat e sotme të Brent nënkupton 55 USD/barelë.

Megjithëse drejtuesit e Albpetrol i bënë me dije KLSH-së dyshimet për paligjshmërinë e kësaj kontrate Kryetari i grupit, në mënyrë të dyshimtë nuk pranoi ta kontrollojë.

Njoftim

Shoqëria Albpetrol sh.a njofton se do të fillojë pagesën e shpërblimit të vjetërsisë në punë për punonjësit e trajtuar me V.K.M.Nr. 106 datë 01.02.2012. Në total janë 649 ish-punonjës të cilët do të përfitojnë pagesat për vjetërsinë në punë. Pagesa për shpërblimin e vjetërsisë do të fillojnë që të paguhen në muajin Nëntor 2014.

Për këtë arsye njoftohen të gjithë ish-punonjësit që e gjejnë emrin në listën e mëposhtme që të paraqiten pranë qendrave ku kanë punuar për të dhënë opsionet e tyre për mënyrën e pagesës për përfitimin e vjetërsisë.

 

Lista e punonjesve te shoqerise Albpetrol sh.a Patos, qe jane trajtuar me V.K.M.Nr.106 date 01.02.2012 ne tre periudhat e percaktuara Nentor,Dhjetor,Janar sipas qendrave perkatese te punes.

 

 

 

Albpetrol sh.a në analizën e 300 ditëve të para të MEI

Administratori i shoqërisë Albpetrol sh.a, Z. Endri Puka mori pjesë më datë 29 Korrik 2014 në Analizën e 300 ditëve të para të qeverisjes të organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë. Në këtë konferencë ishin të pranishëm Zv. Kryeministri Niko Peleshi; Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri si dhe drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore; KESH; Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes; Shërbimi Gjeologjik Shqiptar; Inspektoratit Qendror Teknik; Agjencia Kombëtare e Bërthamore; RISHM-i etj.

Gjatë fjalës së tij Zv. Kryeministri Peleshi vlerësoi punën e mirë e kryer në sektorin e hidrokarbureve duke theksuar se tashmë ky sektor është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit shqiptar. Sipas tij, shifrat e 300 ditëve të para janë shpresëdhënëse dhe se në të ardhmen sektori i hidrokarbureve do të rrisë ndjeshëm performancën e tij.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ministri Gjiknuri, i cili theksoi se rezultatet e deri më tanishme e institucioneve si Albpetrol dhe AKBN janë tepër të mira. “Sektori fitimprurës, i prodhimit të naftës po rritet, me planet e zhvillimit që kemi mbi tryezë. Shqipëria do të kapë rekordet historike të prodhimit të naftës. Ne do të kryejmë procesin më transparent për prodhimin e hidrokarbureve, në të cilin shteti do marrë pjesën që i takon, në mënyrë që të mos nëpërkëmbet interesi shtetëror”,- tha ministri Gjiknuri.

Ndërkohë administratori i Albpetrol sh.a shpjegoi shkurtimisht disa nga arritjet e 300 ditëve të para. “Vetëm në 6 muajt e parë të vitit Albpetrol sh.a ka rritur kontributet në buxhetin e shtetit

shqiptar me 1.2 miliardë lekë, ose 63% me shumë se e njëjta periudhe e vitit të kaluar. Brenda

300 ditëve të para të administratës së re prodhimi i naftës nga vetë shoqëria Albpetrol sh.a është rritur me 41%. Nga 80.5 që prodhohej në Shtator 2013, sot prodhojmë 127.2 Ton naftë në ditë”,- tha administratori i Albpetrol sh.a, Z. Endri Puka. Sipas tij, vetëm gjatë 300 ditëve të para të punës është shtuar numri i puseve aktive të vetë shoqërisë Albpetrol sh.a nga 786 në 847 puse nafte aktive.

Gjatë 300 ditëve të para shoqëria Albpetrol sh.a i është nënshtruar një ristrukturimi të thellë duke larguar të gjithë punonjësit e marrë në punë mbi organikën e nevojshme dhe duke rikthyer në punë rreth 500 specialistë të vjetër të naftës, të cilët ishin larguar padrejtësisht nga puna vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike. “Paketa e re fiskale e hyrë në fuqi më 1 Janar 2014 si dhe bashkëpunimi i ngushtë me Albpetrol sh.a, ka sjellë dyfishimin e pagesave të kryera nga kompanitë e Marrëveshjeve Hidrokarbure ndaj buxhetit të shtetit. Vetëm gjatë 300 ditëve të para është ulur ndjeshëm borxhi që i kishin Albpetrol sh.a kompanitë e Marrëveshjeve Hidrokarbure. Nga 67606 Ton naftë që ishte borxhi në vitin 2013, sot borxhi është në shifrat 8241 Ton naftë,pra është ulur me 59365 Ton”,- u shpreh administratori i Albpetrol sh.a.

 

Ndalohet rreptësisht riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij website. Te gjitha te drejtat te rezervuara. © 2025 Albpetrol.