Kompania Koreano Jugore, Yura Corporation do të investojë 13 milionë euro dhe do të hapë 4.000 vende pune në “ish-bazën e tubave” të shoqërisë Albpetrol sh.a

Ka nisur në Fier ndërtimi i një vepre industriale të kompanisë Koreano Jugore, Yura Corporation, për pjesët teknologjike të autoveturave. Kjo kompani do të investojë 13 milionë euro. Në fazën e parë do të hapë 600 vende të reja pune, në të dytën 1100 dhe pritet që deri në fazën e tretë të hapen 4 mijë vende pune. Hapësira që ka marrë kompania Yura Corporation është “ish-baza e tubave” të shoqërisë Albpetrol sh.a.

Në fjalën e tij kryeministri Rama tha se kemi hyrë në një epokë të re, në tregun e automobilave pas një procesi të gjatë pengesash dhe një procesi jo të shkurtër negocimi. “Sot kemi hyrë në epokë të re dhe falë pranisë së kësaj kompanie prestigjioze çelim siparin e një faze ku të tjera kompani në tregun e automobilave do shfaqen duke plotësuar dhe zhvilluar një mozaik që ka disa gurë të vegjël në Elbasan e Librazhd në disa filiale modeste, por premtuese dhe këtë gur të rëndësishëm siç është Yura, pas një procesi të gjatë pengesash dhe një procesi jo të shkurtër negocimi”.

Kryeministri theksoi se mes shumë vendesh të Europës kompania Yura Corporation zgjodhi Shqipërinë dhe Poloninë, falë transformimit të programit të Shqipërisë një euro, nga një program për falje uzinash, kapanonesh e pronash shtetërore të mbetura djerrë si rezultat i kontratave tërësisht të pambështetura në plane serioze e kompani serioze investimesh, në një program real investimi. “Yura ka zgjedhur të çelë një filial në Poloni e Shqipëri mes shumë zgjedhjesh në Europë.

Kemi transformuar programin e Shqipërisë një euro, nga një program për falje uzinash, kapanonesh e pronash shtetërore të mbetura djerrë si rezultat i kontratave tërësisht të pambështetura në plane serioze e kompani serioze investimesh në një program real investimi që na sjell përmes Yurës 600 vende të reja pune dhe një fazë të dytë afro 1100, duke synuar që suksesi i këtyre dy fazave të para të na çojë te një fazë të tretë siç e parasheh kompania për të arritur në 4 mijë punonjës në rang vendi në Shqipëri,” tha Rama.

Kjo hapësirë industriale në Zhupan të Fierit ishte në pronësinë e shoqërisë tonë dhe ju dha Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë, e cila përmes Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve të Huaja bëri të mundur kalimin tek kompania Koreano Jugore. Gjatë fjalës përshëndetëse, Drjejtori i AIDA, Sokol Nano, falënderoi shoqërinë Albpetrol sh.a për gatishmërinë dhe mbështetjen e dhënë në këtë proces.