Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri, ai i Mirëqenies Sociale Z.Blendi Klosi dhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin znj. Ermonela Felaj zhvilluan sot një takim me përfaqësues të sindikatave të naftëtarëve ku prezantuan draftin e Statusit të Naftëtarit.

 

Numri i përfituesve të këtij statusi llogariten rreth 5 mijë vetë ndërsa përfitues të pensionit në vitin e parë si rezultat i uljes së moshës së pensionit me pesë vjet llogaritet afërsisht 2 mijë persona.

 

Nisma ka marrë formën përfundimtare si draft dhe pas miratimit në qeveri i kalon për diskutim dhe miratim Kuvendit të Shqipërisë. Ky projektligj përcakton pozitën juridike, ekonomiko -financiare dhe shoqërore, kërkesat e  përgjithshme të pranimit, të drejtat, detyrimet dhe kufizimet e punonjësve të Industrisë së Naftës dhe Gazit në Republikën e Shqipërisë, për arsye të karakterit të veçantë të punës dhe ndikimit në shëndet të kësaj pune, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tyre.

 

“Dua të ju komunikoj mesazhin e Kryeministrit dhe qeverisë. Ne sot i kthyem përgjigje Kuvendit të Shqipërisë që jemi duke e miratuar këtë status. Projektligji i qeverisë i bërë nga qeveria, ka marrë parasysh imputet e të gjithë aktorëve të interesuar, nuk duhet ta harrojmë këtë pasi ka qenë një produkt i përbashkët. Dua të falenderoj edhe njëherë këtu të gjithë deputetët prezentë, të gjithë kanë qenë shumë të interesuar për promovimin e kësaj çështje dhe që besoj është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e Fierit, qytetarët e Vlorës, qytetarët e Beratit, të gjithë ata njerëz që me vite kanë kontribuar në sektorin e naftës. Patjetër ne ndihemi krenar si qeveri dhe si maxhorancë që po plotësojmë diçka të domosdoshme të merituar për shumë njerëz që kanë bërë sakrifica në këtë industri”, u shpreh ministri Gjiknuri.

 

Ndërkaq, Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi deklaroi se e vlerëson faktin se tashmë po piqen kushtet që statusi i naftëtarit të bëhet realitet. “Të bëhet realitet dhe një brez shumë i gjërë naftëtarësh, kontribues në ndërtimin e Shqipërisë në dekada, të marrin një status i cili është i veçantë edhe për vet faktin e qënies së veçantë të vet naftëtarëve. Kanë dhënë kontribute e kanë punuar aq fort që ky vend të ketë një nga burimet më të mëdha natyrore kombëtare”, nënvizoi z.Klosi. Ai sqaroi se projektligji ka një faturë financiare dhe atë qeveria merr përsipër ta mbulojë nga vet skema e sigurimeve shoqërore. “Falë kontributit që qytetarët shqiptarë kanë dhënë për përmirësimin e kësaj skeme dhe kthimin e saj në rentabël”, tha Klosi.

 

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj tha se Statusi është përmbushja e një premtimi publik por edhe elektoral që kjo qeveri u ka bërë naftëtarëve. “Të miratosh Statusin e Naftëtarit do të thotë të vësh në vend dinjitetin e këtyre naftëtarëve dhe nuk flas vetëm për ata që janë në punë por edhe për ish-naftëtarët, specialistët e naftës e gazit që i kanë dedikuar jetën e tyre naftës”, u shpreh Felaj.

 

Ismet Beqiri, teknolog në industrinë e naftës deklaroi se ndjehet i respektuar që i është bashkuar ekipit që ka punuar fort për Statusin e Naftëtarëve. “Është një nga lajmet më të mira që nga rifillimi i industrisë së naftës. Falenderoj Kryeministrin, ju si Ministra që po mbani fjalën e dhënë para tre vitesh e gjysmë”, theksoi ai.

 

Sipas draftit, përfituesit do të jenë ushtruesit e profesionit, tani dhe ne të kaluarën, të përfshirë në të gjithë zinxhirin e prodhimit: nga sektori i kërkimit, prodhimit, përpunimit, transportit me naftësjellës dhe gazsjellës, si dhe ne institucionet tekniko-shkencore dhe administrative të naftës e gazit. Nuk janë lënë në harresë as ata që janë të aksidentuar në punë pavarësisht kohës së punës në këtë industri.

 

Përcaktohet procedura dhe dokumentat e nevojshëm për marrjen e statusit. Paga minimale e personave me këtë status propozohet të bëhet minimalisht sa 150% e pagës minimale në rang vendi. Propozohet që përfitime të kenë dhe personat që, pas një eksperience të konsiderueshme në këtë fushë, janë të papunë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit.

 

Përgjegjësi propozohet që t’u ngarkohet dhe kompanive të naftës, të cilat në raste ristrukturimi apo largimi nga puna për arsye që nuk varen nga naftëtari, u paguajnë atyre një shpërblim 60% ose 80% të pagës minimale neto në shkallë vendi.

 

Drafti ka dhe përcaktim të ndarjes së moshës së daljes në pension dhe përfitimet relevante, duke bërë një ndarje edhe për pozicione dhe vende pune, “punë të vështira ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njeriut”, sipas VKM nr. 207, datë 09.05.2002, “Për përcaktimin e punëve të vështira ose të rrezikshme” dhe akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Konkretisht : Mosha e daljes në pension për këto persona për punë të rrezikshme është 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë dhe periudhë të përgjithshme sigurimi 30 dhe 25 vjet dhe vjetërsi në këto profesione sa ½ e vjetërsisë së përgjithshme.

 

Përveç moshës, me statusin e naftëtarit, individët propozohët që të përfitojnë edhe në masën e pensionit ku sipas rastit, do të kenë një përqindje të caktuar më të lartë se shuma sipas formulës bazë. Punonjësit e industrisë së naftës dhe gazit që gëzojnë statusin e naftëtarit dhe që dalin në pension ose kanë dalë në pension, përfitojnë shtesë pensioni a).- në masën 60% të vlerës së pensionit të plotë të pleqërisë, të llogaritur apo aktual, për punonjësit që kanë jo më pak se 30 vjet punë për burrat dhe 25 vjet punë për gratë, në industrinë e naftës; b).- në masën 40% të vlerës së pensionit të plotë të pleqërisë, të llogaritur apo aktual, për punonjësit që kanë jo më pak se 20 vjet punë për burrat dhe 18 vjet punë për gratë në industrinë e naftës).

 

Gjithashtu, personat me statusin e naftëtarit propozohet të përfitojnë edhe kontroll mjekësor falas 2 herë në vit. Përfitime të tjera parashikohen edhe në raste specifike, nëse evidentohen sëmundje të krijuara drejtpërdrejt nga puna në Industrinë e Naftës dhe Gazit. Madje, propozohet që ata të përfitojnë dhe 25% shtesë, të paguar, në pushime vjetore.pecialistët e lartë që gëzojnë statusin e naftëtarit, dhe që janë autorë ose bashkëautorë të studimeve, projekteve dhe raporteve në industrinë e naftës dhe të gazit, gëzojnë të drejtën e autorësisë dhe pronësisë intelektuale për këto studime.

 

Përfituesit e statusit të naftëtarit, sipas këtij ligji, propozohet të jenë përfitues në privatizimin e Industrisë se Naftes dhe Gazit në raport me kohën e punës, shkallën e kualifikimit dhe kategorizimit të punës. Kriteret, masa dhe procedurat e përfitimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.