Kaldaja nuk ishte në punë prej dy vitesh duke krijuar vështirësi në proceset e punës. Riparimi u krye nga vetë ekipet e Albpetrol sh.a

Ekipet e shoqërisë Albpetrol sh.a kanë rivënë në punë kaldajën e vendburimit të Amonicës, e cila nuk funksiononte prej dy vitesh. Mungesa e kësaj kaldaje kishte krijuar probleme të mëdha në prodhimin dhe trajtimin e naftës në këtë vendburim, pasi fluidi transportohej me autobote në Gorisht ku i nënshtrohej procesit të dekantimit. Në sajë të një investimi minimal dhe punës të mirë të bërë nga vetë punonjësit e Albpetrol, Kaldaja e Amonicës tashmë punon me funksionalitet të plotë duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e trajtimit të naftës.

Tashmë, kaldaja e re mund të përpunojë deri në 120 metër kub fluid në 48 orë duke trajtuar naftën sipas parametrave zyrtarë të shitjes. Kjo do të sjellë një ulje të kostove të transportit të naftës dhe zvogëlim të kohës të përpunimit të saj. Vënia në punë e kaldajës në Gorisht sjell optimizimin e fuqisë punëtore dhe rritje të të ardhura për kompaninë. Investimet po vijojnë edhe në qendrat e tjera të punës duke u fokusuar tek përmirësimi i performancës të shoqërisë.