Një zjarr i rënë pranë njërit prej puseve të fondit të ndalur të shoqërisë Albpetrol sh.a ka rrezikuar pusin dhe zonën përreth. Në sajë të ndërhyrjes së menjëhershme të repartit të Avari Shpëtuesve, brenda një ore, zjarri është shuar dhe situata është vendosur në kontroll. Ndërkohë brenda 48 orësh është bërë pastrimi i plotë i zonës dhe rehabilitimi i saj duke u kthyer siç ka qenë përpara zjarrit.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16.30 të 17 Janarit 2019 në afërsi të pusit 2702 në zonën e Zharrzës. Ky pus, prej shumë vitesh, është mbyllur dhe në të nuk kryen operacione hidrokarbure. Për arsye ende të panjohura, pranë këtij pusi është ndezur një vatër zjarri. Në orën 16.35 Reparti i Avari Shpëtuesve të Albpetrol ka mbërritur në vendin e zjarrit dhe zjarrfikësja ka mundur të vërë nën kontroll flakët. 9 punonjës të Albpetrol kanë arritur që brenda 60 minutash të shuajnë tërësisht zjarrin.
Më pas punonjësit e Albpetrol kanë bërë larjen dhe pastrimin e sheshit duke hedhur rreth 7.000 litra ujë dhe 200 litra shkumë zjarrfikëse. Kjo masë është marrë për të parandaluar ndonjë incident të ardhshëm.
Edhe pse fundjavë, gjatë ditës së shtunës punonjësit e Albpetrol sh.a kanë kryer pastrimin e zonës së prekur nga zjarri dhe izolimin e pusit. Ditën e diel punonjësit kanë bërë rehabilitimin e plotë të zonës duke u kthyer atë në gjendjen e mëparshme duke mos shkaktuar asnjë dëm mjedisor.
Pusi 2702 prej shumë vitesh klasifikohet si “Pus i Fondit të Ndalur” në të cilin nuk kryhet asnjë operacion hidrokarbur. Ai ndodhet në një zonë të pabanuar dhe nuk ka paraqitur asnjë lloj rreziku apo shqetësimi për komunitetin e Zharrzës.