Drejtori i Përgjithshëm i Shell Upstream Albania, Rohan D’Souza: Rezultatet shumë premtuese. Administratori i Albpetrol, Dritan Spahiu: Zhvillim i rëndësishëm për industrinë e naftës dhe gazit në Shqipëri.

Ministrja Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Drejtori i Përgjithshëm i Shell Upstream Albania, Rohan D’Souza njoftuan ditën e hënë më datë 27 Maj 2019 zbulimin e sasive të konsiderueshme të naftës në Bllokun 2 dhe 3 në zonën Shpirag të Qarkut Berat. Ky është vendburimi i parë në naftës që është zbuluar në Shqipëri për më shumë se 30 vjet, që nga mesi i viteve 80’. Drejtuesit e Albpetrol sh.a, shoqërisë shtetërore të naftës në Shqipëri, morën pjesë në këtë ceremoni të rëndësishme për industrinë e naftës shqiptare.

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se pas disa vitesh aktivitetit kërkues dhe vlerësues në Shqipëri, kompania Shell konfirmon potencialin e zbulimit të rëndësishëm të naftës në Bllokun 2 dhe 3 zona e Shpiragut, Qarku Berat. Kjo do të stimulojë punësimin, do të rrisë furnizimin me naftë të rafinerive vendase, do të inkurajojë krijimin e ekonomive të shkallës në sektorin e downstream dhe do të krijojë standarde më të larta të prodhimit në atë të sektorit upstream. Konfirmimi i këtij zbulimi të rëndësishëm të naftës së lehtë i hap rrugë investimeve të ardhshme në aktivitetet e kërkimit pasi është një tregues i pranisë së rezervave të pa eksploruara të hidrokarbureve deri më tash në Shqipëri”- tha Ministrja Balluku. Sipas saj, qeveria shqiptare është në kontakte të vazhdueshme edhe me kompani të tjera të mëdha dhe prestigjioze që kanë shfaqur interesin e tyre për ushtruar aktivitetin në vendin tonë për kërkim-zbulimi të naftës dhe të gazit dhe ashtu siç dukshëm, në këto momente zbulimi i SHELL do t’i nxisë këto kompani për të përshpejtuar gjithçka që ata kanë në planet e tyre për investimet në Shqipëri në të ardhmen.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Shell Upstream Albania, Rohan D’Souza pohoi se “Testimi disa ditor i pusit u krye sipas pritshmërive, me një prurje potenciale të disa mijëra fuçive naftë në ditë. Hapi tjetër në programin vlerësues është kryerja e një testimit vlerësues të gjatë në pusin Shpirag-4, pasuar nga shpimi vlerësues në pusin Shpirag-3. Paralelisht Shell planifikon të kryejë shpime pusesh të tjerë vlerësues brenda blloqeve që ka të drejta për të testuar potencialin e tyre”.