Rritja e naftës bruto të prodhuar nga vetë kompania është objektivi kryesor i shoqërisë Albpetrol sh.a për vitin 2019. Me urdhër të administratorit  të ri të shoqërisë, të emëruar në Mars 2019, të gjitha përpjekjet e shoqërisë janë fokusuar vetëm në kryerjen e veprimtarisë që ka si synim të drejt për drejtë rritjen e prodhimit të naftës. Edhe investimet e shoqërisë janë fokusuar në arritjen e këtij objektivi madhor, i cili gjatë vitit 2018 nuk arriti të realizojë objektivin e miratuar.

Rezultatet e para kanë ardhur në Qendrën e Prodhimit të Naftës Gorisht, ku muaji Prill 2019 ka njohur një rritje prodhimi në masën 60 ton në krahasim me sasinë e programuar. QPN Gorisht përfshin vendburimet e Gorisht-Koculit; Amonicës dhe Karbunarës. Peshën kryesore në këtë vendburim e mban Gorisht-Koculi ku për muajin Prill 2019 janë prodhuar 2.883 ton naftë. Në total QPN Gorisht, sipas programit të muajit Prill, duhet të prodhonte 3.300 ton naftë dhe ka arritur të prodhojë 3.360 ton naftë. Në tre muaj te parë të vitit prodhimi i naftës në këtë ndërmarrje ka rezultuar ndjeshëm më poshtë se programimi, duke krijuar një deficit prej 326 ton naftë, të cilat pritet të rikuperohen gjatë muajve në vijim.

Gjatë analizës së punës të QPN Gorisht rezulton se merita për rritjen e prodhimit të naftës është eliminimi në kohë i defekteve dhe koha efektive e vënies në punë të puseve të naftës.