Pas problemeve në muajt e parë të vitit, edhe QPN Kuçovë ka stabilizuar prodhimin e naftës dhe ka arritur programin

Rritja e prodhimit të naftës nga vetë shoqëria Albpetrol është synimi kryesor i kompanisë për vitin 2019. Pas problemeve gjatë muajve të parë të vitit, Qendrat kanë reaguar më së miri duke rritur prodhimin. Përveç Qendrës së Prodhimit të Naftës Gorisht, e cila arriti prodhimin e programuar, madje prodhoi edhe 60 ton naftë më shumë, tashmë edhe situata në Kuçovë është stabilizuar. Qendra e Prodhimit të Naftës Kuçovë ka arritur normën e parashikuar prej 1643 ton naftë në muaj. Në fillim të vitit kjo qendër rezultonte me 31 ton më pak. Brenda një kohe të shkurtër dy qendrat kryesore të prodhimit të Albpetrol sh.a kanë stabilizuar situatën dhe kanë tejkaluar problemet që patën në muaj te parë të vitit.

Albpetrol sh.a ka parashikuar disa ndërhyrje urgjente në QPN Kuçovë, të cilat pritet të ndikojnë drejt për drejtë në prodhimin e naftës duke përmirësuar rezultatin. Gjatë këtij viti të gjitha investimet e Albpetrol sh.a do të fokusohen tek rritja e prodhimit nga vetë kompania dhe rikuperimi i borxheve që i kanë kompanitë partnere, gjë e cila pritet të rezultojë në të ardhura më të mira për shtetin shqiptar.