Administratori i Albpetrol, Gazheli: Strategjia e ndjekur masat e marra sollën zgjidhjen për të dalë nga situata e ngërçit të krijuar gjatë pandemisë

Administratori i Albpetrol sh.a, Z. Genti Gazheli, pjesë e Task Forcës për Naftën, ngritur me urdhër të Kryeministrit, mori pjesë në tryezën për menaxhimin e situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e COVID-19, e reflektuar edhe në tregjet ndërkombëtare. Diskutimet u kryesuan nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Znj. Belinda Balluku, e cila mblodhi së bashku të gjithë faktorët kryesorë të sektorit hidrokarbur në Shqipëri për të marrë masat konkrete për kalimin e krizës. Nën drejtimin e Ministres, kjo Task Forcë ka hedhur hapa konkrete drejt zgjidhjes të krizës duke bërë që fillimisht dy kompanitë kryesore të prodhimit të naftës në vend, Albpetrol sh.a dhe Bankers Petroleum të rifillojnë prodhimin.

Drejtuesi i Albpetrol sh.a, Genti Gazheli, në paraqiti angazhimin maksimal të shoqërisë për rimëkëmbjen dhe rinisjen e prodhimit duke prezantuar edhe masat konkrete që janë marrë deri më tani. Njoftimi i ankandit së fundmi rikthen në normalitet punën e Albpetrol, pas një periudhe 2-mujore në pamundësi për të dalë në treg, për shkak të çmimit të ulët në të gjitha tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë strategjia e ndjekur nga Albpetrol dhe masat e marra për rimëkëmbjen ekonomike dhe zgjerimit të kapacitetit ekzistues, sollën zgjidhjen për të dalë nga situata e ngërçit të krijuar gjatë pandemisë.