Blog

Albpetrol-EITI: Më shumë transparencë për industrinë hidrokarbure

Transparenca e industrisë nxjerrëse në Shqipëri dhe  gjetja e mënyrave që të ardhurat nga ky aktivitet të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit ishte tema kryesore e një takimi të zhvilluar nga drejtuesit e Albpetrol sh.a me përfaqësuesit e Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI).

EITI, në funksion të transparencës, monitoron të ardhurat e kompanive që operojnë në sektorin nxjerrës, si dhe pagesat që kompanitë bëjnë në institucionet shtetërore, të cilat konsiderohen të ardhura për shtetin. Parimet EITI bazohen në besimin se përdorimi i kujdesshëm i burimeve natyrore kontribuon në rritjen ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e varfërisë në vendet e pasura me burime natyrore. EITI ka për qëllim promovimin e transparencës për të parandaluar korrupsionin, si dhe t’i sigurojë qytetarëve një bazë për të kërkuar përdorimin e drejtë të të ardhurave.

Albpetrol sh.a është një nga kontributorët e raportit të EITI prej shumë vitesh duke garantuar një transparencë më të madhe të sektorit hidrokarbur në Shqipëri. Gjatë takimit u diskutuan detaje dhe hapa konkrete si mund të përmirësohet transparenca e industrisë nxjerrëse në Shqipëri. Albpetrol u angazhua për të kontribuuar edhe më shumë në raportin e radhës, i cili pritet të publikohet shumë shpejt.

Njoftime për vende vakante pune – publikuar 13/03/2019

Shoqëria Albpetrol sh.a, shoqëri me pronësi publike, kërkon të punësojë Krye-Specialist në Sektorin e Auditimit të Drejtorisë së Marrëveshjeve Hidrokarbure.

Kandidatët që plotësojnë kushtet sipas përshkrimit të secilit vend pune dhe dëshirojnë që të aplikojnë, duhet të dërgojnë kërkesën e tyre, së bashku me CV; Fotokopje e Diplomës; Fotokopje e librezës së punës, në adresën bnj@albpetrol.al ose fizikisht në zyrën e Burimeve Njerëzore në Albpetrol sh.a.

Kandidatët duhet të specifikojnë qartë në titullin e emailit se për cilin pozicion pune dëshirojnë të aplikojnë.

Kërkesat pranohen deri më datën 18 Mars 2019, ora 15:00.

Më poshtë  mund të  shkarkoni dokumentin përkatës:

Njoftim Punesimi – Krye – Specialist ne Sektorin e Auditimit – MH

Asnjë kompani nafte nuk do të derdhë mbetje në Gjanicë

Bazuar në urdhrin e Administratorit të Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu, një grup i veçantë do të kryejë kontrollin dhe verifikimin e burimeve të mundshme të ndotjes nga hidrokarburet të lumit Gjanicë

Lumi i Gjanicës në Fier nuk do të ndotet më nga kompanitë e naftës që kryejnë operacione në këtë zonë. Bazuar në urdhrin e Administratorit të Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu, një grup i veçantë do të kryejë kontrollin dhe verifikimin e burimeve të mundshme të ndotjes nga hidrokarburet të lumit Gjanicë, të cilat mund të rezultojnë nga kryerja e operacioneve hidrokarbure të Albpetrol sh.a. dhe/ose të kontraktorëve në marrëveshje hidrokarbure.

“Grupi i punës ka për detyrë kryerjen e inspektimit në terren të gjithë gjatësisë gjeografike të lumit Gjanicë, me synim identifikimin e burimeve të mundshme të ndotjes nga hidrokarburet. Dokumentimi do të kryhet duke mbajtur shënim koordinatat gjeografike, të pikave të identifikuara përgjatë lumit Gjanicë, sipas sistemit koordinativ WGS84 dhe KRGJSH-2010”,- thuhet në urdhrin e Administratorit të Albpetrol sh.a.

Sipas tij,  përveç matjes dhe përcaktimit të koordinatave gjeografike, do të gjurmohet burimi i mundshëm i ndotjes nga pika e derdhjes në lumin Gjanicë, deri tek ndotësi i mundshëm, dhe gjurma përkatëse do të reflektohet në hartë dixhitale duke u gjurmuar me pika gjeografike me distancë jo më të madhe se 100m nga njëra tjetra. Grupi i punës do të kryejë një përshkrim teknik të shkakut dhe natyrës së ndotjes së identifikuar dhe kompanitë përgjegjëse do të detyrohen të marrin masa të menjëhershme.

Punonjësit e Albpetrol sh.a solidarizohen për të dhuruar gjak

Nisma për dhurimin e gjakut është shkresa e parë zyrtare e firmosur nga administrator Spahiu. Albpetrol do të tregojë profilin e saj social me nisma në ndihmë të qytetarëve.

Shoqëria Albpetrol sh.a solidarizohet për të dhuruar gjak për t’i ardhur në ndihmë personave të cilët kanë nevojë për të. Nisma për dhurimin e gjakut është shkresa e parë zyrtare e firmosur nga administrator i ri i shoqërisë Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu menjëherë pas marrjes së detyrës. Kërkesa për bashkëpunim i është drejtuar Kryqit të Kuq Shqiptar, dega Fier.

“Albpetrol është një shoqëri kombëtare dhe si e tillë duhet të tregojë edhe profilin e saj social. Dhurimi i gjakut është një gjest i vogël për secilin prej nesh, por është çështje jetësore për shumë persona. Kjo është vetëm nisma e parë e karakterit social që ndërmerr shoqëria jonë. Në të ardhmen do të vijojmë me nisma të tjera në ndihmë të komunitetit në përgjithësi si dhe duke u fokusuar veçanërisht në zonat ku ne ushtrojmë aktivitetin tonë”,- tha Administratori i Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu.

Nevojat për gjak në rang kombëtar janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut shërben shpesh herë për të shpëtuar jetën dikujt të përfshirë në një aksident apo ndërhyrje kirurgjikale, por gjithashtu edhe për personat që vuajnë nga sëmundje kronike gjaku si anemi, talasemi, hemofili, anemitë hemolitike, hemofili, leuçemi etj. Punonjësit e Albpetrol sh.a kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në këtë kauzë të mirë.

 

Prezantohet Administratori i ri i Albpetrol sh.a Dritan Spahiu

Administratori i ri i Shoqërisë Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu ka zhvilluar paraditen e sotme (07.03.2019) takimin e parë të punës me drejtuesit kryesorë dhe punonjësit e shoqërisë. Dritan Spahiu zëvendësoi në këtë post Kastriot Bejtaj.

Prezantimin zyrtar të Administratorit të ri e beri  Zv. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Z. Ilir Bejtja dhe Drejtori i Drejtorisë të Programeve të Zhvillimit në Fushën e Hidrokarbureve, Z. Ilia Gjermani.

Zv. Ministri Ilir Bejtja uroj  Administratorin Z. Spahiu për detyrën e re dhe shprehu bindjen e  Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë se Spahiu është personi i duhur për të përballuar sfidat e të ardhmes. “Jam i bindur se puna e mirë e kryer deri më sot do të vijojë, Albpetrol do vazhdojë dhe synojmë që të bëhet një kompani edhe më e qëndrueshme. Albpetrol është një kompani që do të duhet të vazhdojë të ngrihet. Një vit më parë kremtuam 100-Vjetorin e naftës në Shqipëri dhe kjo industri përfaqësohet nga Albpetrol. Do të përgatisim plane zhvillimore për të gjitha zonat që menaxhohen nga Albpetrol. Të tregojmë që jemi kompani me standarde të larta. Albpetrol është kompania kombëtare e naftës, është kompania e të gjithë Shqipërisë”,- tha Zv. Ministri Bejtja. Ai theksoi se shumë shpejt do të rikthehet edhe Instituti i Naftës, një strukturë që sot i mungon industrisë shqiptare të naftës. “Kemi një projekt ambicioz. Po punohet për rehabilitimin e rrjetit të transportit të naftës. Për këtë kemi aplikuar për fonde të Bashkimit Europian, por do të kemi nevojë edhe për Albpetrolin. Të gjitha këto dhe më shumë do të arrihen me administratorin e ri, Dritan Spahiun, i cili mbështetet fuqimisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”,- përfundoi Bejtja.

Gjatë fjalës së tij Administratori Z. Dritan Spahiu vuri theksin tek rritja e profesionalizmit dhe bashkëpunimit për të përballuar sfidat e të ardhmes. “Punonjësit e Albpetrol sh.a do të kenë të gjithë mbështetjen time. Sfidat janë të mëdha, por unë kam bindje se së bashku do t’ia dalim. Nga ju kërkoj profesionalizëm dhe angazhim maksimal”,- tha Administratori Spahiu.

Ndërkohë Administratori në largim, Z. Kastriot Bejtaj, gjatë fjalës së tij, u përqendrua tek bashkëpunimi me stafin dhe tek arritjet e vitit të fundit. “Përmirësuam rezultatin financiar dhe ristrukturuam shoqërinë; Nuk patëm asnjë aksident apo incident të rëndë në punë, gjë që konsiderohet sukses në një kompani operacionale në fushën hidrokarbure. Ristrukturuam kompaninë dhe optimizuam fuqinë punëtore; Përmirësuam standardet mjedisore dhe qasja drejt mjedisit sot është shumë pozitive. Sot kemi një strategji të plotë dhe reale të prodhimit të naftës”,- tha ndër të tjera Z. Kastriot Bejtaj.

 

Albpetrol sh.a bëhet pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës

Shoqëria Albpetrol sh.a është bërë sot pjesë e thirrjes së katërt të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, 2019 një iniciativë kjo e Qeverisë Shqiptare. Ky program synon të pajisë studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë “Bachelor” me një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike, personale dhe njohja me administratën publike e jo-publike.
Në takimin e zhvilluar në mjediset e Ministrisë të Arsimit, Sportit dhe Rinisë më datë 14 Shkurt 2019 morën pjesë përfaqësues të kompanive publike dhe private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e hidrokarbureve; postë-telekomunikacionit; bankave; sigurimeve etj.

Në emër të shoqërisë publike Albpetrol sh.a, Administratori, Z. Kastriot Bejtaj nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit ku Albpetrol angazhohet në mbështetjen e profesionistëve të rinj për të kryer praktikat e punës 3-mujore pa pagesë, por dhe për t’i dhënë këtyre të rinjve mundësinë e punësimit në të ardhmen.
“Shoqëria Albpetrol sh.a e mirëpret nismën e Qeverisë Shqiptare që zhvillon për të katërtin vit radhazi të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Për vetë karakteristikat e punës në shoqërinë tonë, ne jemi nga shoqëritë që ofrojmë larminë më të madhe të vendeve të punës. Tek ne mund të punësohen profesionistë dhe të rinj nga pothuajse çdo fushë. Ne jemi të hapur dhe mirëpresim të gjithë të rinjtë që duan të afrohen në shoqërinë tonë pasi një nga synimet madhore që kemi, është edhe ripërtëritja e stafit me profesionistë të rinj. Për të gjithë studentët që duan të mësojnë dhe të punojnë në zonat naftëmbajtëse ne ofrojmë praktika profesionale për profesione të ndryshme si inxhinierë, financierë, juristë, informatikë dhe IT, kimistë, ekonomistë, etj. Ne kemi vetëm një kusht: Kualitetin e personave që aplikojnë. Kushdo që dëshiron të provojë vetën, e ka derën e hapur në Albpetrol sh.a, që sot”,- tha gjatë takimit Administratori i Albpetrol, Z. Kastriot Bejtaj.
Në përfundim të takimit u ra dakord që të shihet mundësia e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional për përfshirjen më të madhe të profesionistëve të rinj në proceset e punës në Albpetrol sh.a.

Rikonstruktohen godinat e Grupeve të Prodhimit në Gorisht

Përmirësimi i kushteve të punës për punonjësit; Investimet për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike për nxjerrjen, transportin, trajtimin dhe shitjen e naftës dhe gazit; dhe Investimet për rehabilitimin dhe mbrojtjen e mjedisit janë tre shtyllat kryesore të Programit të Zhvillimit të shoqërisë Albpetrol sh.a për vitin 2019. Në këtë kuadër, që në muajin Janar 2019, bazuar mbi planin e aktiviteteve të mbështetur në Kalendarin e Investimeve 2019, shoqëria Albpetrol ka nisur një sërë punimesh dhe riparimesh në qendra të ndryshme pune. Një pjesë e këtyre investimeve po kryhen nga vetë repartet e shoqërisë tonë, siç është rasti i rikonstruksionit të godinave të Grupeve të Prodhimit në Qendrën e Prodhimit të Naftës Gorisht.

Këto rikonstruksione janë të nevojshme për përmirësimin e kushteve të punës, por edhe për të përmirësuar situatën mjedisore në zonat ku Albpetrol sh.a ushtron veprimtari. Rikonstruktimet do të vazhdojnë përgjatë muajve të ardhshëm dhe një pjese e punimeve do të kryhen nga vetë repartet e ndërtimit të Albpetrol sh.a.

Njoftime për vende vakante pune

Shoqëria Albpetrol sh.a, shoqëri me pronësi publike, kërkon të punësojë 12 kandidate profesioniste për vende të ndryshme pune sipas listës së mëposhtme.

Kandidatët që plotësojnë kushtet sipas përshkrimit të secilit vend pune dhe dëshirojnë që të aplikojnë, duhet të dërgojnë kërkesën e tyre, së bashku me CV; Fotokopje e Diplomës; Fotokopje e librezës së punës, në adresën bnj@albpetrol.al ose fizikisht në zyrën e Burimeve Njerëzore në Albpetrol sh.a.

Kandidatët duhet të specifikojnë qartë në titullin e emailit se për cilin pozicion pune dëshirojnë të aplikojnë.

Përzgjedhja e aplikantëve do të kryhet bazuar në:

  • Aplikimet e depozituara fizikisht në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore.
  • Aplikimet e paraqitura në rrugë elektronike në adresën bnj@albpetrol.al

Secili kandidat që plotëson kriteret e përshkruara në njoftim do të kontaktohet nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore për t’iu nënshtruar procesit të intervistës.

Procesi i intervistës do të realizohet nga një komision prej 3 anëtarësh.

Pas realizimit të procesit të intervistës me secilin kandidat të përzgjedhur, komisioni do të përzgjedhë kandidatin e përshtatshëm që plotëson çdo kriter të përshkrimit të vendit të punës.

Rezultatet e intervistës dhe lista e kandidatëve të përzgjedhur do të shpallet në faqen online të shoqërisë Albpetrol sh.a, jo me vonë se 3 dite nga momenti i përzgjedhjes të kandidatëve fitues.

Prioritet do të kenë punonjësit aktualë të shoqërisë Albpetrol sh.a që dëshirojnë të ngrihen në karrierë; ish-punonjësit e shoqërisë Albpetrol sh.a që janë prekur nga procesi i ristrukturimit kur kualifikimi i tyre përputhet me kërkesat e vendit të punës.

Kërkesat pranohen deri më datën 13 Shkurt 2019, ora 15:00.

Më poshtë do të mund të gjeni listën e aplikimeve nga ku mund të shkarkoni dokumentin përkatës:

Njoftim Punesimi – Drejtor i Logjistikes (1 vend)

Njoftim Punesimi – Drejtor-Finance (1 vend)

Njoftim Punesimi – Krye – Specialist në Drejtorinë e Logjistikës (1 vend)

Njoftim Punesimi – Specialist në Drejtorinë e Auditit (3 vende)

Njoftim Punesimi – Specialist në Drejtorinë e Logjistikës (1 vend)

Njoftim Punesimi -Specialist në Drejtorinë e Gjeologjisë (1 vend)

Njoftim Punesimi -Specialist në Drejtorinë Juridike (1 vend)

Njoftim Punesimi -Specialist në Sektorin e Projekteve dhe Zbatimit të Kontratave Ndërtimore – 2 vende

Njoftim Punesimi -Specialist në Sektorin e Projekteve dhe Zbatimit të Kontratave Ndërtimore – Ing Ndertimi

Njoftim Punesimi -Specialist në Sektorin e Projekteve dhe Zbatimit të Kontratave Ndërtimore – Ing.Gjeodet

Zjarrfikësit e Albpetrol shuajnë zjarrin në Zharrëz, brenda 48 orëve bëhet rehabilitimi i zonës

Një zjarr i rënë pranë njërit prej puseve të fondit të ndalur të shoqërisë Albpetrol sh.a ka rrezikuar pusin dhe zonën përreth. Në sajë të ndërhyrjes së menjëhershme të repartit të Avari Shpëtuesve, brenda një ore, zjarri është shuar dhe situata është vendosur në kontroll. Ndërkohë brenda 48 orësh është bërë pastrimi i plotë i zonës dhe rehabilitimi i saj duke u kthyer siç ka qenë përpara zjarrit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16.30 të 17 Janarit 2019 në afërsi të pusit 2702 në zonën e Zharrzës. Ky pus, prej shumë vitesh, është mbyllur dhe në të nuk kryen operacione hidrokarbure. Për arsye ende të panjohura, pranë këtij pusi është ndezur një vatër zjarri. Në orën 16.35 Reparti i Avari Shpëtuesve të Albpetrol ka mbërritur në vendin e zjarrit dhe zjarrfikësja ka mundur të vërë nën kontroll flakët. 9 punonjës të Albpetrol kanë arritur që brenda 60 minutash të shuajnë tërësisht zjarrin.

Më pas punonjësit e Albpetrol kanë bërë larjen dhe pastrimin e sheshit duke hedhur rreth 7.000 litra ujë dhe 200 litra shkumë zjarrfikëse. Kjo masë është marrë për të parandaluar ndonjë incident të ardhshëm.

Edhe pse fundjavë, gjatë ditës së shtunës punonjësit e Albpetrol sh.a kanë kryer pastrimin e zonës së prekur nga zjarri dhe izolimin e pusit. Ditën e diel punonjësit kanë bërë rehabilitimin e plotë të zonës duke u kthyer atë në gjendjen e mëparshme duke mos shkaktuar asnjë dëm mjedisor.

Pusi 2702 prej shumë vitesh klasifikohet si “Pus i Fondit të Ndalur” në të cilin nuk kryhet asnjë operacion hidrokarbur. Ai ndodhet në një zonë të pabanuar dhe nuk ka paraqitur asnjë lloj rreziku apo shqetësimi për komunitetin e Zharrzës.

Ndalohet rreptësisht riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij website. Te gjitha te drejtat te rezervuara. © 2018 Albpetrol