Albpetrol sh.a. është një shoqëri aksionere me 100% të aksioneve të zotëruara nga shteti shqiptar. Selia qendrore e kompanisë ndodhet në qytetin e Patosit. Në vitin 2014, Albpetrol sh.a ka hapur edhe një zyrë përfaqësimi në Tiranë. Roli kryesor i shoqërisë është prodhimi dhe tregtimi i produkteve të naftës si dhe monitorimi i Marrëveshjeve Hidrokarbure.
Historia e naftës shqiptare fillon në vitin 1918, kur gjeologu italian Leo Madalena kreu shpimin e pusit të parë në Drashovicë (Vlorë). Pusi arriti thellësinë 200 metra dhe pati rezultate pozitive, pavarësisht se përfitoi sasi të vogla nafte. Rezultatet e pusit të parë nxitën interesin e kompanive më të mëdha të kohës si anglo-persianët e “APOC Oil Company” dhe amerikanët e “Standard Oil”. Që nga kjo kohë, në Shqipëri janë shpuar më shumë se 5650 puse nafte dhe gazi. Në vendburimet e gazit natyror nga rreth 500 puse të shpuar, kanë rezultuar me gaz rreth 255 puse. Në 5 vendburimet e naftës rezultojnë 4 728 puse me naftë.
Aktualisht në Shqipëri ka 12 vendburime të njohura nafte dhe 5 vendburime gazi natyror. Vetëm në zonën e Patos-Marinzës, në një sipërfaqe prej 44 mijë hektarësh, ndodhet zona më e madhe naftëmbajtëse në Europën kontinentale. Nëntoka e Patos-Marinzës llogaritet të ketë rreth 5.4 miliardë fuçi nafte bruto.
Shoqëria Albpetrol sh.a është krijuar me Vendim të Qeverisë Nr. 159 datë 20.03.1993, me kapital 100% shtetëror, e cila vepron sipas normave dhe rregullave të ekonomisë së tregut, me objekt: Kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, që përfshinte ciklin e plotë të punimeve sizmike, gjeologjike, mekanike, gjeofizike, kërkimin, nxjerrjen, përpunimin dhe marketingun e nënprodukteve të naftës.”
Sot selia e shoqërisë Albpetrol sh.a është Kilometri 7 i rrugës Fier-Patos dhe ka vartësi direkte nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.