Kategori: Lajme dhe njoftime

QPN Kuçovë realizon planin e prodhimit të naftës

Pas problemeve në muajt e parë të vitit, edhe QPN Kuçovë ka stabilizuar prodhimin e naftës dhe ka arritur programin

Rritja e prodhimit të naftës nga vetë shoqëria Albpetrol është synimi kryesor i kompanisë për vitin 2019. Pas problemeve gjatë muajve të parë të vitit, Qendrat kanë reaguar më së miri duke rritur prodhimin. Përveç Qendrës së Prodhimit të Naftës Gorisht, e cila arriti prodhimin e programuar, madje prodhoi edhe 60 ton naftë më shumë, tashmë edhe situata në Kuçovë është stabilizuar. Qendra e Prodhimit të Naftës Kuçovë ka arritur normën e parashikuar prej 1643 ton naftë në muaj. Në fillim të vitit kjo qendër rezultonte me 31 ton më pak. Brenda një kohe të shkurtër dy qendrat kryesore të prodhimit të Albpetrol sh.a kanë stabilizuar situatën dhe kanë tejkaluar problemet që patën në muaj te parë të vitit.

Albpetrol sh.a ka parashikuar disa ndërhyrje urgjente në QPN Kuçovë, të cilat pritet të ndikojnë drejt për drejtë në prodhimin e naftës duke përmirësuar rezultatin. Gjatë këtij viti të gjitha investimet e Albpetrol sh.a do të fokusohen tek rritja e prodhimit nga vetë kompania dhe rikuperimi i borxheve që i kanë kompanitë partnere, gjë e cila pritet të rezultojë në të ardhura më të mira për shtetin shqiptar.

QPN Gorisht tejkalon prodhimin e naftës me 60 Ton

Rritja e naftës bruto të prodhuar nga vetë kompania është objektivi kryesor i shoqërisë Albpetrol sh.a për vitin 2019. Me urdhër të administratorit  të ri të shoqërisë, të emëruar në Mars 2019, të gjitha përpjekjet e shoqërisë janë fokusuar vetëm në kryerjen e veprimtarisë që ka si synim të drejt për drejtë rritjen e prodhimit të naftës. Edhe investimet e shoqërisë janë fokusuar në arritjen e këtij objektivi madhor, i cili gjatë vitit 2018 nuk arriti të realizojë objektivin e miratuar.

Rezultatet e para kanë ardhur në Qendrën e Prodhimit të Naftës Gorisht, ku muaji Prill 2019 ka njohur një rritje prodhimi në masën 60 ton në krahasim me sasinë e programuar. QPN Gorisht përfshin vendburimet e Gorisht-Koculit; Amonicës dhe Karbunarës. Peshën kryesore në këtë vendburim e mban Gorisht-Koculi ku për muajin Prill 2019 janë prodhuar 2.883 ton naftë. Në total QPN Gorisht, sipas programit të muajit Prill, duhet të prodhonte 3.300 ton naftë dhe ka arritur të prodhojë 3.360 ton naftë. Në tre muaj te parë të vitit prodhimi i naftës në këtë ndërmarrje ka rezultuar ndjeshëm më poshtë se programimi, duke krijuar një deficit prej 326 ton naftë, të cilat pritet të rikuperohen gjatë muajve në vijim.

Gjatë analizës së punës të QPN Gorisht rezulton se merita për rritjen e prodhimit të naftës është eliminimi në kohë i defekteve dhe koha efektive e vënies në punë të puseve të naftës.

Reparti i Zjarrfikësve të Albpetrol shuan zjarrin në Patos

Reparti i zjarrfikësve të shoqërisë Albpetrol sh.a është vendosur të hënën paradite në shërbim të banorëve të zonës së Patosit, të cilët rrezikoheshin nga zjarri. Sipërfaqe të tëra kullotash dhe ullishte rrezikoheshin nga zjarri, i cili mund të përparonte edhe pranë disa banesave në zonën e “Ofiçinës së Vjetër” në Patos. Në pamundësi për të përballuar flakët e zjarrit, shërbimi i zjarrfikësve të Patosit ka kërkuar ndihmën e Albpetrol sh.a.

Reparti Special i Avari Shpëtuesve të Albpetrol sh.a, edhe pse ishte ditë pushimi zyrtar, është mobilizuar menjëherë dhe brenda pak minutash ka shkuar në vendin e ngjarjes. Një zjarrfikëse; një autobot dhe disa mjete të tjera Albpetrol sh.a janë vënë në shërbim të komunitetit dhe brenda pak minutash flakët janë vënë nën kontroll.

Me afrimin e stinës së nxehtë shtohen edhe rastet e zjarreve në zonën e Patosit dhe Ballshit. Reparti i Avari Shpëtuesve të Albpetrol sh.a do të jetë gjithmonë në gatishmëri që të ndërhyjë në situata që rrezikojnë jo vetëm industrinë e naftës, por edhe pronat private apo publike të zonës.  

Më poshtë do të gjeni video nga shuarja e zjarrit:

 

Ankand për shitjen e naftës brut

NJOFTIMI I ANKANDIT

1.      Autoriteti Shitës: Albpetrol Sha Patos, Rruga Fier – Patos km 7.

2.      Data e zhvillimit të ankandit: 03.05.2019, ora 11:00.

3.      Lloji i Procedurës të ankandit: Procedure e hapur.  

4.      Objekti i Shitjes: Shitje nafte brut, sasia 75 101 ton.

5.      Afati i evadimit:  270 ditë nga data e nënshkrimit të kontratës.

6.      Përshkrim i shkurtër i objektit të shitjes: Shitje e naftes brut, sasia 75 101 ton.

 

Klikoni më poshtë për të shkarkuar dokumentat përkatës:

DSA Shitje nafte Brut 75 101 ton

Njoftimi i ankandit-75 101ton

Auction Announcement -75 101 ton

Albpetrol-EITI: Më shumë transparencë për industrinë hidrokarbure

Transparenca e industrisë nxjerrëse në Shqipëri dhe  gjetja e mënyrave që të ardhurat nga ky aktivitet të kontribuojnë më shumë në zhvillimin e vendit ishte tema kryesore e një takimi të zhvilluar nga drejtuesit e Albpetrol sh.a me përfaqësuesit e Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI).

EITI, në funksion të transparencës, monitoron të ardhurat e kompanive që operojnë në sektorin nxjerrës, si dhe pagesat që kompanitë bëjnë në institucionet shtetërore, të cilat konsiderohen të ardhura për shtetin. Parimet EITI bazohen në besimin se përdorimi i kujdesshëm i burimeve natyrore kontribuon në rritjen ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe reduktimin e varfërisë në vendet e pasura me burime natyrore. EITI ka për qëllim promovimin e transparencës për të parandaluar korrupsionin, si dhe t’i sigurojë qytetarëve një bazë për të kërkuar përdorimin e drejtë të të ardhurave.

Albpetrol sh.a është një nga kontributorët e raportit të EITI prej shumë vitesh duke garantuar një transparencë më të madhe të sektorit hidrokarbur në Shqipëri. Gjatë takimit u diskutuan detaje dhe hapa konkrete si mund të përmirësohet transparenca e industrisë nxjerrëse në Shqipëri. Albpetrol u angazhua për të kontribuuar edhe më shumë në raportin e radhës, i cili pritet të publikohet shumë shpejt.

Asnjë kompani nafte nuk do të derdhë mbetje në Gjanicë

Bazuar në urdhrin e Administratorit të Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu, një grup i veçantë do të kryejë kontrollin dhe verifikimin e burimeve të mundshme të ndotjes nga hidrokarburet të lumit Gjanicë

Lumi i Gjanicës në Fier nuk do të ndotet më nga kompanitë e naftës që kryejnë operacione në këtë zonë. Bazuar në urdhrin e Administratorit të Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu, një grup i veçantë do të kryejë kontrollin dhe verifikimin e burimeve të mundshme të ndotjes nga hidrokarburet të lumit Gjanicë, të cilat mund të rezultojnë nga kryerja e operacioneve hidrokarbure të Albpetrol sh.a. dhe/ose të kontraktorëve në marrëveshje hidrokarbure.

“Grupi i punës ka për detyrë kryerjen e inspektimit në terren të gjithë gjatësisë gjeografike të lumit Gjanicë, me synim identifikimin e burimeve të mundshme të ndotjes nga hidrokarburet. Dokumentimi do të kryhet duke mbajtur shënim koordinatat gjeografike, të pikave të identifikuara përgjatë lumit Gjanicë, sipas sistemit koordinativ WGS84 dhe KRGJSH-2010”,- thuhet në urdhrin e Administratorit të Albpetrol sh.a.

Sipas tij,  përveç matjes dhe përcaktimit të koordinatave gjeografike, do të gjurmohet burimi i mundshëm i ndotjes nga pika e derdhjes në lumin Gjanicë, deri tek ndotësi i mundshëm, dhe gjurma përkatëse do të reflektohet në hartë dixhitale duke u gjurmuar me pika gjeografike me distancë jo më të madhe se 100m nga njëra tjetra. Grupi i punës do të kryejë një përshkrim teknik të shkakut dhe natyrës së ndotjes së identifikuar dhe kompanitë përgjegjëse do të detyrohen të marrin masa të menjëhershme.

Punonjësit e Albpetrol sh.a solidarizohen për të dhuruar gjak

Nisma për dhurimin e gjakut është shkresa e parë zyrtare e firmosur nga administrator Spahiu. Albpetrol do të tregojë profilin e saj social me nisma në ndihmë të qytetarëve.

Shoqëria Albpetrol sh.a solidarizohet për të dhuruar gjak për t’i ardhur në ndihmë personave të cilët kanë nevojë për të. Nisma për dhurimin e gjakut është shkresa e parë zyrtare e firmosur nga administrator i ri i shoqërisë Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu menjëherë pas marrjes së detyrës. Kërkesa për bashkëpunim i është drejtuar Kryqit të Kuq Shqiptar, dega Fier.

“Albpetrol është një shoqëri kombëtare dhe si e tillë duhet të tregojë edhe profilin e saj social. Dhurimi i gjakut është një gjest i vogël për secilin prej nesh, por është çështje jetësore për shumë persona. Kjo është vetëm nisma e parë e karakterit social që ndërmerr shoqëria jonë. Në të ardhmen do të vijojmë me nisma të tjera në ndihmë të komunitetit në përgjithësi si dhe duke u fokusuar veçanërisht në zonat ku ne ushtrojmë aktivitetin tonë”,- tha Administratori i Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu.

Nevojat për gjak në rang kombëtar janë shumë të mëdha pasi transfuzioni i gjakut shërben shpesh herë për të shpëtuar jetën dikujt të përfshirë në një aksident apo ndërhyrje kirurgjikale, por gjithashtu edhe për personat që vuajnë nga sëmundje kronike gjaku si anemi, talasemi, hemofili, anemitë hemolitike, hemofili, leuçemi etj. Punonjësit e Albpetrol sh.a kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në këtë kauzë të mirë.

 

Prezantohet Administratori i ri i Albpetrol sh.a Dritan Spahiu

Administratori i ri i Shoqërisë Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu ka zhvilluar paraditen e sotme (07.03.2019) takimin e parë të punës me drejtuesit kryesorë dhe punonjësit e shoqërisë. Dritan Spahiu zëvendësoi në këtë post Kastriot Bejtaj.

Prezantimin zyrtar të Administratorit të ri e beri  Zv. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Z. Ilir Bejtja dhe Drejtori i Drejtorisë të Programeve të Zhvillimit në Fushën e Hidrokarbureve, Z. Ilia Gjermani.

Zv. Ministri Ilir Bejtja uroj  Administratorin Z. Spahiu për detyrën e re dhe shprehu bindjen e  Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë se Spahiu është personi i duhur për të përballuar sfidat e të ardhmes. “Jam i bindur se puna e mirë e kryer deri më sot do të vijojë, Albpetrol do vazhdojë dhe synojmë që të bëhet një kompani edhe më e qëndrueshme. Albpetrol është një kompani që do të duhet të vazhdojë të ngrihet. Një vit më parë kremtuam 100-Vjetorin e naftës në Shqipëri dhe kjo industri përfaqësohet nga Albpetrol. Do të përgatisim plane zhvillimore për të gjitha zonat që menaxhohen nga Albpetrol. Të tregojmë që jemi kompani me standarde të larta. Albpetrol është kompania kombëtare e naftës, është kompania e të gjithë Shqipërisë”,- tha Zv. Ministri Bejtja. Ai theksoi se shumë shpejt do të rikthehet edhe Instituti i Naftës, një strukturë që sot i mungon industrisë shqiptare të naftës. “Kemi një projekt ambicioz. Po punohet për rehabilitimin e rrjetit të transportit të naftës. Për këtë kemi aplikuar për fonde të Bashkimit Europian, por do të kemi nevojë edhe për Albpetrolin. Të gjitha këto dhe më shumë do të arrihen me administratorin e ri, Dritan Spahiun, i cili mbështetet fuqimisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”,- përfundoi Bejtja.

Gjatë fjalës së tij Administratori Z. Dritan Spahiu vuri theksin tek rritja e profesionalizmit dhe bashkëpunimit për të përballuar sfidat e të ardhmes. “Punonjësit e Albpetrol sh.a do të kenë të gjithë mbështetjen time. Sfidat janë të mëdha, por unë kam bindje se së bashku do t’ia dalim. Nga ju kërkoj profesionalizëm dhe angazhim maksimal”,- tha Administratori Spahiu.

Ndërkohë Administratori në largim, Z. Kastriot Bejtaj, gjatë fjalës së tij, u përqendrua tek bashkëpunimi me stafin dhe tek arritjet e vitit të fundit. “Përmirësuam rezultatin financiar dhe ristrukturuam shoqërinë; Nuk patëm asnjë aksident apo incident të rëndë në punë, gjë që konsiderohet sukses në një kompani operacionale në fushën hidrokarbure. Ristrukturuam kompaninë dhe optimizuam fuqinë punëtore; Përmirësuam standardet mjedisore dhe qasja drejt mjedisit sot është shumë pozitive. Sot kemi një strategji të plotë dhe reale të prodhimit të naftës”,- tha ndër të tjera Z. Kastriot Bejtaj.

 

Albpetrol sh.a bëhet pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës

Shoqëria Albpetrol sh.a është bërë sot pjesë e thirrjes së katërt të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, 2019 një iniciativë kjo e Qeverisë Shqiptare. Ky program synon të pajisë studentët që kanë përfunduar studimet e ciklit të parë “Bachelor” me një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike, personale dhe njohja me administratën publike e jo-publike.
Në takimin e zhvilluar në mjediset e Ministrisë të Arsimit, Sportit dhe Rinisë më datë 14 Shkurt 2019 morën pjesë përfaqësues të kompanive publike dhe private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e hidrokarbureve; postë-telekomunikacionit; bankave; sigurimeve etj.

Në emër të shoqërisë publike Albpetrol sh.a, Administratori, Z. Kastriot Bejtaj nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit ku Albpetrol angazhohet në mbështetjen e profesionistëve të rinj për të kryer praktikat e punës 3-mujore pa pagesë, por dhe për t’i dhënë këtyre të rinjve mundësinë e punësimit në të ardhmen.
“Shoqëria Albpetrol sh.a e mirëpret nismën e Qeverisë Shqiptare që zhvillon për të katërtin vit radhazi të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Për vetë karakteristikat e punës në shoqërinë tonë, ne jemi nga shoqëritë që ofrojmë larminë më të madhe të vendeve të punës. Tek ne mund të punësohen profesionistë dhe të rinj nga pothuajse çdo fushë. Ne jemi të hapur dhe mirëpresim të gjithë të rinjtë që duan të afrohen në shoqërinë tonë pasi një nga synimet madhore që kemi, është edhe ripërtëritja e stafit me profesionistë të rinj. Për të gjithë studentët që duan të mësojnë dhe të punojnë në zonat naftëmbajtëse ne ofrojmë praktika profesionale për profesione të ndryshme si inxhinierë, financierë, juristë, informatikë dhe IT, kimistë, ekonomistë, etj. Ne kemi vetëm një kusht: Kualitetin e personave që aplikojnë. Kushdo që dëshiron të provojë vetën, e ka derën e hapur në Albpetrol sh.a, që sot”,- tha gjatë takimit Administratori i Albpetrol, Z. Kastriot Bejtaj.
Në përfundim të takimit u ra dakord që të shihet mundësia e rritjes së bashkëpunimit ndërinstitucional për përfshirjen më të madhe të profesionistëve të rinj në proceset e punës në Albpetrol sh.a.

Rikonstruktohen godinat e Grupeve të Prodhimit në Gorisht

Përmirësimi i kushteve të punës për punonjësit; Investimet për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike për nxjerrjen, transportin, trajtimin dhe shitjen e naftës dhe gazit; dhe Investimet për rehabilitimin dhe mbrojtjen e mjedisit janë tre shtyllat kryesore të Programit të Zhvillimit të shoqërisë Albpetrol sh.a për vitin 2019. Në këtë kuadër, që në muajin Janar 2019, bazuar mbi planin e aktiviteteve të mbështetur në Kalendarin e Investimeve 2019, shoqëria Albpetrol ka nisur një sërë punimesh dhe riparimesh në qendra të ndryshme pune. Një pjesë e këtyre investimeve po kryhen nga vetë repartet e shoqërisë tonë, siç është rasti i rikonstruksionit të godinave të Grupeve të Prodhimit në Qendrën e Prodhimit të Naftës Gorisht.

Këto rikonstruksione janë të nevojshme për përmirësimin e kushteve të punës, por edhe për të përmirësuar situatën mjedisore në zonat ku Albpetrol sh.a ushtron veprimtari. Rikonstruktimet do të vazhdojnë përgjatë muajve të ardhshëm dhe një pjese e punimeve do të kryhen nga vetë repartet e ndërtimit të Albpetrol sh.a.

Ndalohet rreptësisht riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së këtij website. Te gjitha te drejtat te rezervuara. © 2018 Albpetrol